Botë

Lufta për pushtet dhe para prish aleatët në Siri

Descriptive Text

Hashashi ishte paketuar në pako qumështi, me një sasi të përgjithshme prej katër tonelatash që ishte vendosur me kujdes në 19 mijë njësi paketimesh individuale. Zyrtarët e doganës e kishin zbuluar ngarkesën me kontrabandë në mes të prillit në një anije që kishte ankoruar në portin egjiptian të Saidit. Kishte ardhur nga Siria, dhe mendohet se destinacion kishte Libinë, një tjetër shtet i copëtuar e dërrmuar nga lufta civile.

Nuk ishte hera e parë që droga e prodhuar në Siri do të zbulohej në portet e shteteve të rajonit. Në të vërtetë, rastet e tilla më nuk janë të pazakonshme. Në Dubai, hetuesit kishin konfiskuar paketime të shumta amfetaminash. Dhe në Arabinë Saudite, zyrtarët e doganës kishin kapur ngjashëm 45 milionë pilula Captagon, me gjasë të prodhuara në laboratorët e Sirisë. Shumica e tabletave ishin fshehur në pako, që synim kishin të përdoreshin kinse për prodhim të një lloji çaji. Dhe krejt ky biznes lidhej me njerëz të afërt me familjen e diktatorit sirian, Bashar al-Assad.

Ngarkesat kishin ardhur nga Latakia, qyteti sirian i Mesdheut, portin e të cilit e mori vjet nën kontroll Irani. Ngarkesat me drogë tregojnë se në çfarë gjendje të dëshpëruar ka rënë regjimi i Assadit dhe i aleatëve të tij në Teheran kur vjen puna te sigurimi i të hyrave. Vendi, mbi të gjitha, është bërë pikë e pesë. Sipas Kombeve të Bashkuara, tetëdhjetë për qind e sirianëve jetojnë në varfëri, dhe llogaritet se prodhimi i brendshëm për kokë banori është sa çereku i nivelit të paraluftës. Valuta siriane vazhdon të pësojë fiasko dhe çmimet po ngrihen, përderisa pagat kanë vazhduar të mbesin në nivelin e mëhershëm. Irani nuk është i zoti të ndihmojë e Rusia më nuk ka gatishmëri.

Bela familjare

Tregtia e drogës është një prej rrugëve të pakta të mbetura për të siguruar të hyra monetare. Qysh më 2013, “Hezbollahu” – grup besnik i Iranit në Liban – kishte pushtuar qytetin sirian Qusayr dhe rrethinat e tij, dhe do ta shpallte rajonin zonë të kufizuar. Grupi militant krijoi disa zona të vogla të prodhimit të amfetaminës, të njohur si Captagon. Njëherësh, grupi detyroi bujqit për të kultivuar kanabis. Sipas shumë burimeve të sigurta, Maher Assad, vëllai më i vogël i Assadit dhe komandant i divizionit të katërt të ushtrisë siriane, mori përsipër mbrojtjen e Qusayrit dhe të rrugëve transportuese drejt portit të Latakias në Mesdhe. Divizioni i Maher Assadit është vetëm njëri prej dy njësiteve të mbetura të gatshme për të luftuar në ushtrinë e dërrmuar të Sirisë. Dhe është fraksion i ushtrisë së Sirisë që kaherë kontrollohet nga Irani.

Konsorciumi i kompanive që i përkasin biznesmenit miliarder të Sirisë, Rami Makhlouf, kushëri i diktatorit, është përgjegjës për pranimin dhe eksportimin e drogës. Katër tonelatat me hashash të kapura në Egjipt ishin paketuar nga kompania “Milkman”, që i përket Makhloufit. Ai ka mohuar përfshirjen.

Fushata nëntëvjeçare e dhunës së Assadit kundër popullit të vet ka rezultuar kryesisht me fitore të regjimit, pavarësisht shkatërrimit të hisesë më të madhe të vendit. Por terrori dhe kolapsi i vazhdueshëm ekonomik në vend kanë dobësuar regjimin e tij, me përshkallëzim të luftës brenda familjes Assad për para dhe pushtet. Në këtë betejë janë përfshirë edhe njerëz të rrethit të ngushtë.

Në zemër të kësaj beteje janë dy familje që rrethojnë Bashar Assadin dhe Rami Makhloufin, diktatorin dhe biznesmenin. Belaja ka qenë aq e ashpër megjithëse dy familjet kanë lidhje farefisnore. Sidoqoftë, ato nuk e durojnë dot njëra-tjetrën. Ato për një kohë të gjatë kishin kaluar kohë të jashtëzakonshme për shkak të të mirave që siguronin nëpërmjet kontrollit të pushtetit dhe ekonomisë së vendit. Por tashmë kanë ndërruar hesapet.

Një lutje për presidentin

Tani, njeriu më i pasur i Sirisë ka lansuar ofensivë publike kundër njerëzve në majën e pushtetit. Më 30 prill dhe gjatë ditëve në vijim, Makhloufi postoi tri xhirime në Facebook, në të cilat magnati ankohej ashpër se kërkesat nga autoritetet financiare, sipas të cilave ai do të duhej të paguante sa vlera e 100 milionë eurove, janë “manipuluar” prej një “kuadri” zyrtarësh. Me çehre të prishur, ai gjithashtu ka shprehur zhgënjimin e tij se disa prej punëtorëve të kompanisë janë arrestuar prej njerëzve të shërbimit sekret. E ka quajtur “shkelje të ligjit dhe të kushtetutës”, sidomos meqë ishte “sponsori më i madh i aparatit të sigurisë në kohën e luftës”. Ai i është lutur presidentit Assad: “Zoti president, mos e lejoni këtë!”

Shumë sirianë nuk kanë kurrfarë mbështetje për Makhloufin. Madje kaherë i referohen në rrethe të ngushta si “Rami al-Harami”, apo “Rami Krimineli”. Në fillim të kryengritjes, ai ishte njeriu më i pasur në Siri. Madje llogaritej se atëherë i kishte pesë miliardë dollarë pasuri. Thuhet se të gjithë konkurrentët e tij ose dëboheshin nga vendi ose përfundonin në burg në Siri. Krejt kjo vinte si pasojë e ndikimit të fuqishëm të tij në kupolën e pushtetit. Ai kontrollonte kompaninë e fuqishme të telekomunikimeve “SyriaTel”. Ai gjithashtu ka në pronësi kompani ndërtimi dhe nafte, dhe se ka aksione pothuajse në gjithçka që gjeneron përfitime.

Problemi i Assadit është se pushteti i familjes së tij, që e ka sunduar Sirinë gjatë pesë dekadave të fundit, është i rrënjosur në pakicën fetare të alavive, pavarësisht fakti se para luftës, rreth tri të katërtat e popullit sirian ishte sunite. Nëna e Bashar al-Assadit, Anisa, e cila ishte martuar më 1957 me themeluesin e dinastisë, Hafez al-Assad, është bijë e Makhloufëve, familje e fuqishme e alavive. Ajo dhe familja e saj nuk ishin të kënaqur kur më 2000, Bashar al-Assadi u martua me bankieren sunite, Asma al-Assad, me të cilën ishte njoftuar në Londër. Në rajonin përreth Latakias, ku ka prani të madhe të pakicave alavi, shumë njerëz u veshën në të zeza në ditën e zotimeve të çiftit për martesë.

Hulumtim i “Der Spiegelit”