Botë

Indiani përshkon 2.000 kilometra për t’u kthyer në shtëpi

Descriptive Text

Rajesh Chouhan kishte ecur 1000 kilometra për pesë ditë. Këmbët e tij ishin ënjtur. Por, ai nuk ndali së ecuri. Nuk mund të ndalte së ecuri.

Punëtori emigrant 26-vjeçar ishte në zemër të Indisë dhe kishte kaluar vetëm gjysmën e rrugës deri në shtëpi, shkruan CNN.

Kur India vendosi masat kufizuese më 24 mars, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ndonëse kishte më pak se 450 raste në atë moment, qytetet ndaluan. Rreth 100 milionë shtetas nga vendet rurale gjendeshin në qytete për të punuar. Brenda natës, shumica si Chouhani mbetën të ngujuar pa vende pune, pa ushqim dhe pa kursime.

Pa mënyrë se si të mbijetojnë në qytete, dhe me transportin hekurudhor të ndaluar kryesisht, shumica morën vendimin e jashtëzakonshëm për të ecur mijëra kilometra për t’u kthyer te familjet e tyre.

Shumica nuk ia dolën. Në një incident, 16 punëtorë emigrantë u shtypën nga një tren mallrash, ndërsa ishin duke fjetur në hekurudha. Aksidentet rrugore u morën jetën disa tjerëve. Disa vdiqën nga lodhja, dehidrimi apo uria. Ata që u kapën nga policia shpesh u kthyen në qytetet nga ku kishin nisur rrugën.

Chouhan i dinte rreziqet. Por më 12 maj, vendosi të mos i përfillë rregullat strikte të Indisë dhe të nisë një ecje 2000-kilometërshe nga Bengaluru deri te fshati i tij në shtetin verior të Uttar Pradeshit.

Ai kishte shpresuar që të kalonte shumicën e rrugës me autostop, por pasi policia po kontrollonte kamionët, shoferët kërkonin pagesa përtej buxhetit që kishte Chouhani. Për dhjetë ditë, ai u desh të shmangte postblloqet e policisë, të mbijetonte vetëm me çaj e biskota dhe të ecte në dhembje.

“Nuk besoj se mund ta harroj këtë udhëtim. Gjithmonë do të kem me vete kujtimet e pikëllimit dhe frikës”, ka thënë Chouhan.

Nisja nga Bengaluru

Chouhan ishte vendosur në Bengaluru në dhjetor të vitit të kaluar për të punuar si murator. Në fshatin e tij, Tribhuvan Nagar, në kufi me Nepalin, ai fitonte 250 rupe (3.30 dollarë) në ditë. Në Bengaluru, mund të fitonte dyfish më tepër.

Ai dhe vëllai i tij, që punonte në një shtet tjetër, dërgonin në shtëpi rreth 14 mijë rupe (185 dollarë) në muaj – mjaftueshëm për ta mbajtur familjen me 11 anëtarë, përfshirë dy fëmijët e Chouhanit dhe prindërit në moshë. Nipi i tij, Arving Thakur, iu bashkua Chouhanit në qytet me të mbushur 14 vjet, mosha e lejuar për punë në Indi.

Në kohën kur Chouhani, nipi i tij, dhe nëntë emigrantë të tjerë vendosën të largoheshin nga Bengaluru, shteti ishte i mbyllur për disa javë. Disa shërbime hekurudhore u kthyen më 3 maj, duke lejuar udhëtim ndërshtetëror, por duhej t’i nënshtroheshin një procesi të mundimshëm aprovimi.

Emigrantëve iu tha të regjistronin planin e tyre të udhëtimit te stacionet policore. Deri më 5 maj, më tepër se 214 mijë ishin regjistruar për t’u larguar nga shteti Karnataka, ku Bengaluru është kryeqendër. Mirëpo, vetëm 10 mijë persona morën bileta pasi kishte shërbim të limituar të trenit.

Normalisht Chouhan paguan 300 rupe (4 dollarë) për një udhëtim 48-orësh për në shtëpi, por gjatë pandemisë çmimet u rritën për në 1200 rupe (15.90 dollarë). Policia shtetërore ishte angazhuar për të shitur biletat dhe për të mbajtur rend në stacionet policore të mbushura me udhëtarë që ishin të vendosur të kthehen në shtëpi.

Policia në Bengaluru kishte përdorur edhe shkopinjtë për të larguar turmën kur përfundonte shitja e biletave për një ditë.

“Ne u rrahëm shumë herë. Vetëm pasi jemi të varfër, nuk do të thotë se nuk ndiejmë dhembje”, ka thënë Chouhan.

Pasi kaloi pesë ditë jashtë një stacioni policor duke tentuar të sigurojë një biletë, Chouhani dhe bashkëfshatarët e tij vendosën të ecin. Ata nuk guxonin t’i tregonin familjeve të tyre.

“Babai im është me diabet dhe do të ishte goditje e rëndë për të dhe për nënën time po të zbulonin se ishim duke ecur për në shtëpi dhe ishim pa para. Ata do të qanin deri në kthimin tonë. Ne të gjithë vendosëm t’i thoshim familjeve se po presim për trenin”, tregon Chouhan.

Ai mori me vete katër fanella, një peshqir dhe një çarçaf, si dhe disa shishe ujë. Në kuletën e tij kishte 170 rupe (2.25 dollarë).

Në ora 3 të mëngjesit më 12 maj, Chouhani nisi hapat e parë në rrugën drejt shtëpisë.

Ikja nga policia

Në kohën kur Chouhan u largua, ishin ngritur postblloqe të policisë nëpër qytet. Autoritetet nuk kishin parashikuar një numër kaq të madh të emigrantëve që donin të largoheshin dhe e qartësoi se regjistrimi vlente vetëm për ata që janë ngujuar, jo për punëtorët emigrantë. Udhëtimet e paautorizuara ndërshtetërore ishin ndaluar.

Në momentin kur Chouhani dhe bashkëfshatarët e tij ecën nëpër qytet, ata u kapën nga policia dhe u dërguan në stacion ku shefi i tyre – që kurrë nuk donte që ata të largoheshin – i merrte. Derisa punëtorët emigrantë kanë të drejta sipas ligjeve në Indi, shpesh ata nuk janë të vetëdijshëm për ato të drejta dhe shfrytëzohen nga punëdhënësi.

Në mesditë, policët e përfunduan ndërrimin dhe grupi mbeti vetëm në stacion.

“Ne ikëm”, thotë Chouhan. “Vrapuam rreth dy kilometra derisa u ndiem të sigurt”.

Pas 46 orëve, kaluan kufirin e parë shtetëror nga pesë sa do t’i kalonin. Kishin kaluar vetëm rreth 120 kilometra.

Grupi i Chouhanit prej 11 anëtarëve kishin në total nëntë telefona të mençur dhe e përdornin Google Mapsi për navigim. Shikonin vazhdimisht nëse janë në rrugën e duhur.

Për të kursyer baterinë, vetën një person e mbante celularin ndezur, derisa të shpenzohej bateria. Kishte pak vende nëpër rrugë për të karikuar celularët.

Në pjesën e parë të udhëtimit ishte Autostrada Nacionale 44 – një rrugë e gjatë, e hapur, që ndan Indinë në dysh.

Kjo rrugë do t’i dërgonte për në Hyderabad, një qytet me 10 milionë banorë dhe ku kishin dëgjuar se mund të sigurojnë një autostop për të përshkuar pjesën tjetër të rrugës.

Ndërsa temperaturat u ngritën në 40 gradë Celsius, Chouhani ecte rreth tetë kilometra në orë, duke bërë një pushim të shkurtër çdo dy orë.

Ai synonte të përshkonte 110 kilometra në ditë.

“Ekzistonte dëshira për të pushuar apo fjetur. Por, ne ishim të vetëdijshëm se bëhej më e vështirë sa herë që uleshim”, ka treguar Chouhan.

Përgjatë rrugës ata shihnin grupe të tjera të emigrantëve duke shkuar në drejtim të shteteve perëndimore të varfra, si Odisha, Chhattisgarh, Bengal perëndimore, Bihar dhe uttar Pradesh, që furnizon qytetet e Indisë me forcë punëtore.

Në rrugë, Chouhan thotë se ndarjet tradicionale të fiseve e religjioneve, u zhdukën. Në grupin e tij prej 11 anëtarëve kishte fise të ndryshme nga fshati i njëjtë. Në rrugë nuk kishte ndonjë dallim.

Kur pantofla e Chouhanit u prish në ditën e dytë, grupi mblodhi para për t’i blerë këpucë të reja. Por, në ditën e tretë të udhëtimit, ata nuk kishin ngrënë një shujtë të plotë që kur u larguan nga Bengaluru. Secili person ishte nisur me nga 150 rupe (2 dollarë) dhe 300 rupe (4 dollarë). Ata blinin 20 biskota për 100 rupe (1.32 dollarë) dhe i hanin me kujdes ato gjatë ditës.

“Duhej të kursenim paratë në rast se na duheshin më vonë gjatë rrugës”, tregon Chouhan. “Barku ynë bënte zhurmë nga uria. Hanim një biskotë për ta mbajtur të heshtur. Ishim të uritur, por nuk kishin zgjedhje tjetër. Duhej të kursenim çdo rupe në rast të emergjencës”.

Rreth orës 8 të mëngjesit atë ditë, ata u ndalën anash rrugës në autostradë, duke menduar të bënin pushim për një orë. Por, ata fjetën për tetë orë.

Kur ata u zgjuan në ora 4 pasdite, Hyderabadi ishte 400 kilometra larg dhe një kufi shtetëror larg.

Me Hyderabadin pranë, Chouhani eci gjatë natës. Por, kur grupi i tij arriti në qytetin Kurnool në ora 10 të mëngjesit në ditën e katërt, një postbllok i policisë bllokoi urën të cilën duhet ta kalonin ata për të arritur në qytet.

Chouhan pa një numër të emigrantëve që po ecnin përgjatë lumit dhe i ndoqi ata. Rreth 3.2 kilometra larg, qindra po e kalonin lumin në këmbë.

Hezitimi

Chouhani dhe të tjerët hezitonin, nuk dinin të notonin.

“Burra, gra, fëmijë, të moshuar po e kalonin lumin. Ne menduam se nëse ata mund ta bëjnë këtë, atëherë mundemi edhe ne”, rrëfen Chouhan.

Pas një vere të gjatë dhe të nxehtë, lumi ishte i thellë vetëm 1 metër. Chouhani mbajti çantën sipër kokës dhe një nga më të gjatit në grupin e tyre mbajti mbi shpatulla nipin e tij 14-vjeçar.

“Ne ishim shumë të frikësuar se do të përmbyteshim. Por, i thoshim vetes se është mënyra e vetme për t’u kthyer në shtëpi. Ato 100 metra ishin më të frikshmit në rrugën tonë”, thotë Chouhan.

Me t’u kthyer në autostradë, ngasësit e kamionëve po kërkonin deri 2500 rupe (33 dollarë) për person për t’i dërguar në drejtim të Uttar Pradeshit.

“Ata na thanë ne se nëse policia i kap, atëherë duhet të paguajnë gjoba të mëdha. Nuk donin të rrezikonin pa u paguar. Nuk kishim opsion tjetër pos të ecnim”, rrëfen Chouhani.

Por, të tjerët ishin më bamirës. Një i moshuar i ofroi atyre shujtën e parë të vërtetë për katër ditë. Një ngasës i kamionit i mori ata me vete për një pjesë të rrugës. Ai po transportonte oriz dhe ata fjetën mes thasëve, ndërsa kaloi në periferi të Hyderabadit.

Pasi kaluan kufirin Telangana – Maharashtra, sërish i priu fati. Një fshatar i dërgoi në një shkollë ku një organizatë jo-qeveritare po ndante ushqim dhe ujë për punëtorët emigrantë.

Më tepër se 300 emigrantë ishin duke ngrënë kur arriti policia.

“Filluan të na abuzonin. Na thanë se nuk po përfillim distancën sociale dhe se duhet të ulemi tri metra nga njëri-tjetri. Tentuam të shpërndanin turmën dhe i thanë organizatorëve të ndalonin me shpërndarje të ushqimit”, rrëfen Chouhan.

Por, emigrantët ishin në numër më të madh.

“Filluam të kundërpërgjigjeshim. Disa punëtorë emigrantë edhe filluan të shtynin policët dhe policët u larguan në veturat e tyre. Ne ishim të zemëruar. Policia nuk na ndihmoi fare, nuk donte të na ndihmonte”, ka shtuar Chouhan.

Përhapja e virusit te punëtorët migrantë

Kur Chouhan ishte në Bengaluru, ai dëgjoi se pandemia e ka bllokuar Indinë. Por, ai thotë se nuk e kuptonte mirë. Kur u largua më 12 maj, Bengaluru kishte vetëm 186 raste të konfirmuara. Ndërsa ecte për në shtëpi, Chouhan bisedonte me emigrantët e tjerë, qëndronte në vende të ngarkuara dhe hante ushqim në ambiente të mbyllura, duke thyer rregulloren e distancës sociale.

Ka pak të dhëna se si punëtorët emigrantë kanë ndikuar në përhapjen e koronavirusit në Indi. Emigrantët kanë testuar pozitivë në numër të madh, por nuk është e ditur nëse e kanë marrë virusin në qytete ku kanë punuar apo gjatë rrugës.

Në Uttar Pradesh, rreth 807 mijë emigrantë ndërshtetërorë ishin futur në karantinë më 24 maj. Nga më tepër se 50 mijë të testuar, 1569 ishin diagnostikuar me COVID-19.

Në ditën e pestë të udhëtimit, grupi pati frikë për shëndetin, ndërsa po i afrohej qytetit në qendër të Indisë, Nagpur.

Nipi i Rajeshit, Arving Thakur, kishte temperaturë.

“U frikësova. Nuk dija ndonjë gjë për koronavirusin. Por, të rriturit më thanë se nuk mund të jetë koronavirus pasi fillimisht ke ethe dhe kollë. Unë kisha vetëm temperaturë. Më dhanë tableta dhe u ndjeva më mirë”, tregon Thakur.

Në rrugë rreziku nga pandemia ishte më i vogël. Kishte shqetësime të tjera shëndetësore: uria, etja, lodhja dhe dhembja.

Nuk ka të dhëna zyrtare për vdekjet e shkaktuara nga mbyllja e Indisë, por një bazë e të dhënave e krijuar nga një grup i akademikëve në Indi ka gjurmuar raportimet e mediave lokale për fatalitetet si pasojë e kësaj rregulle.

Deri më 24 maj u regjistruan 667 të vdekur, nga të cilët 244 ishin punëtorë emigrantë që vdiqën duke ecur për në shtëpi: nga uria, lodhja apo nga aksidentet hekurudhore e rrugore.

“Në Bengaluru, isha i frikësuar nga kjo sëmundje”, tregon Chouhan. “Por, e gjitha që donim ishte të shkonim në shtëpi. Nuk ishte në duart tona nëse do të sëmurem gjatë këtij rrugëtimi. Në momentin që jemi larguar nga Bengaluru, e lamë fatin në duar të zotave”.

Arritja në shtëpi

Në ditën e gjashtë Chouhani kaloi kufirin Maharasthra-Madhya Pradesh. Në Madhya Pradesh, traktorët, autobusët dhe kamionët ndihmuan grupin gjatë ditës dhe fshatarët ndihmuan ata me ushqim dhe madje edhe i ofruan ujë për të bërë dush.

Dy ditë më vonë, ata arritën në kufi te shteti i tyre Uttar Pradesh. Shtëpia ishte vetëm 350 kilometra larg.

“Ne harruam dhembjen tonë. Na dukej sikur ishim në shtëpi”, thotë Chouhan.

Derisa kaluan Prayagrajin, një vend spiritual ku takohen lumenjtë Ganges, Yamuna dhe Sarasvati, Chouhan i lejoi vetes ta shijojë momentin.

Diku iu bashkuar mijëra hindusëve, ai u fut në ujë të ftohtë dhe tha lutjen e tij për grupin që të arrijë në shtëpi.

Një ditë më vonë, në ditën e nëntë të ecjes, ata arritën në kryeqendër të shtetit, Lucknow.

Shtëpia ishte 128 kilometra larg. Chouhan bleu ushqim për herë të parë që kur nisi rrugëtimin dhe e telefonoi familjen.

“U thamë atyre se kemi ardhur me tren te Uttar Pradeshi. Dhe se do të jemi në shtëpi për një ditë”, ka treguar ai.

Sa më tepër po i afrohej shtëpisë, aq më tepër po lodhej Chouhan.

Në ditën e dhjetë, në Gonda, 30 kilometra nga fshati i tij, trupi i nipit të tij Thakurit u dorëzua. Ai ra me fytyrë përtokë. Grupi e ringjalli atë duke i gjuajtur ujë në fytyrë. Por, më pas 3.2 kilometra larg nga shtëpia, ata hasën në një patrullë të policisë. Ishin tepër të lodhur për të vrapuar, i lejuan policët që t’i fusin në karantinë.

Më në fund, arritën në shtëpi.

Mirëpo, gjurmët e kësaj ecjeje kanë mbetur në trupin e tyre. Chouhan tregon se ka humbur 10 kilogramë gjatë udhëtimit. Ai thotë se këmbët e tij ishin ënjtur aq shumë sa që e kishte të vështirë të shkonte edhe në tualet në shkollë, ku duhet të qëndrojë në karantinë për 14 ditë.

Mirëpo, në Uttar Pradesh karantina është e detyrueshme. Më 24 maj, Chouhan thotë se familja e tij u lejua ta vizitonte. Fëmijët vrapuan në drejtim të tij. Dhe në momentin që i përqafoi, Chouhan thotë se e harroi dhembjen. Ai është lejuar ta vizitojë familjen në shtëpi dhe të shkojë edhe në barnatore.

Duke e parë shtëpinë e tij i kujton atij se si puna e tij në Bengaluru ka ndihmuar familjen e tij të mbijetojë.

Por, më 25 maj, tragjedia goditi. 31-vjeçari Salman, një nga 11 personat në grupin e Chouhanit që ishin nisur nga Bengaluru, u kafshua nga një gjarpër vetëm pak ditë pasi arriti në shtëpi. Ai vdiq rrugës për në spital.

Më tepër se 45 mijë persona vdesin në Indi çdo vit nga kafshimet e gjarpërinjve. Më tepër se 200 persona ishin në funeralin e Salmanit, përfshirë edhe disa nga grupi i Chouhanit.

Chouhani është duke mbajtur zi për këtë tragjedi. Por, ai e kupton se varfëria, uria e familjes dhe borxhet do ta detyrojnë që të kthehet në qytet për të punuar.

“Kur u largova nga Bengaluru, e vendosa të mos kthehem aty më. Por, më e mira që mund të bëj është të pres nëse masat lehtësohen dhe të nisem sërish për në qytet për punë”, thotë ai.