Botë

Qytetet e SHBA-së në orë policore për shkak të protestave

Descriptive Text

Nëpër qytetet përgjatë tërë SHBA-ve është urdhëruar orë policore si përpjekje për të ndalur përplasjet e dhunshme në mes protestuesve dhe policisë për shkak të vrasjes së George Floyd, shkruan BBC.

Protesta gjithëpërfshirëse janë duke ndodhur nëpër disa qytete, me policinë kundër kryengritjeve që kanë përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome pasi që veturat e tyre u dogjën në disa qytete, transmeton KOHA. 

Presidenti Donald Trump i fajësoi “plaçkitësit dhe anarkistët” për dhunën.

Folyd, një afro-amerikan 46 vjeçar, u vra gjersa ishte duke u arrestuar në Minneapolis të hënën e kaluar.

Tashmë ish-polici Derek Chauvin, 44 vjeç dhe i bardhë, është akuzuar për vrasjen e tij dhe do të del para gjyqit të hënën.

Në një xhirim i cili u përhap në internet, shihet se si Chauvin po gjunjëzohej në qafën e Floydit për disa minuta, ndërsa Floyd përsëritë disa herë se nuk mund të marrë frymë.

Në Chicago, protestuesit i gjuajtën policët me gurë, të cilët u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe me dhjetëra njerëz u arrestuan.

Policia në Los Angelos gjuajti me plumba gome për të shpërndarë turmën e cila gjuajti me shishe dhe i dogji veturat e policisë. Më vonë u panë imazhe të njerëzve përmbi veturat e dëmtuara. Për natën e dytë rresht turmat u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë në Washington D.C.

Në Atlanta, Georgia, ndërtesat u vandalizuan të premten dhe për të mbrojtur pronat dhe njerëzit u shpall gjendje emergjente në disa zona.

Me mijëra njerëz marshuan përgjatë rrugëve të Minneapolis, New York, Miami, Atlanta dhe Philadelphia.

Tashmë janë vendosur orë policore gjatë natës në Minneapolis, Atlanta, Los Angelos, Philadelphia, Portland, Louisville, si dhe qytete tjera.

Sidoqoftë protestuesit në disa qytete janë duke e kundërshtuar orën policore duke thyer dhe shkatërruar prona.

Në Minnesota, u sollën me qindra ushtarë nga Garda Kombëtare, forca rezerve ushtarake të cilat mund të thirren nga presidenti apo guvernatorët e shtetit për të intervenuar në emergjenca të brendshme, transmeton KOHA.

Të shtunën mbrëma, Trump tha se vdekja e Floyd kishte “mbushur amerikanët me tmerr, mllef dhe pikëllim.”

“Qëndroj para juve si mik dhe aleat për secilin amerikan që kërkon paqe”, tha ai në një adresim televiziv nga Cape Canaveral në Floridë, pas lansimit në orbitë të dy astronautëve nga kompania SpaceX i miliarderit Elon Musk.