Botë

Policia në Hong Kong arreston 360 persona në protestat kundër projektligjeve të propozuara nga Kina

Policia në Hong Kong ka përdorur gaz lotsjellës dhe ka arrestuar 360 persona, ndërsa mijëra kanë dal në rrugë të mërkurën në zemërim ndaj legjislacionit për siguri nacionale të propozuar nga Kina, që ka ngritur alarmin ndërkombëtar për liritë në qytet, shkruan agjencia Reuters.

Në mes të qarkut financiar, policia e trazirave ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Në vende tjera policia ka rrethuar grupet e protestuesve, duke i detyruar të ulen nëpër trotuare para se të kontrollohej në gjërat e tyre.

Më vonë pasdite, protestuesit ende po qëndronin nëpër rrugë, duke thirrur për demokraci të plotë dhe për Hong Kongun që të kërkojë pavarësinë nga Kina, duke thënë se “është mënyra e vetme e largimit”.

Prezenca e madhe e policisë rreth Këshillit Legjislativ nuk ka lejuar protestuesit që të pengonin debatin për një projektligj që do të kriminalizonte çdo mosrespekt ndaj himnit të Kinës. Projektligji pritet të kalohet në ligj muajin e ardhshëm.

Të zemëruar me rrezikimit të lirive në qytetin gjysmë-autonom, njerëzit e gjitha moshave kanë mbushur rrugët.

“Ndonëse ke frikë, prapë brenda zemrës sheh nevojë për të dal dhe për të shprehur mendimin”, ka thënë Chang 29-vjeçar.

Shumë shitore, banka dhe zyra janë mbyllur më herët.

Protestat e fundit i pasojnë propozimit të qeverisë së Kinës për një legjislacion nacional të sigurisë me synim për të luftuar shkëputjen, përmbysjen dhe terrorizmin në Hong Kong. Me ligjet e planifikuara agjencitë kineze të inteligjencës mund të hapin seli në Hong Kong.

Propozimi, i zbuluar nga Pekini javën e kaluar, ka nxitur të dielën protestat e para të mëdha në Hong Kong pas disa muajve.

SHBA-ja, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe të tjerët kanë shprehur shqetësimin për legjislacionin.

Por, autoritetet kineze dhe qeveria e Hong Kongut e mbështetur nga Pekini ka thënë se nuk ka ndonjë rrezik ndaj autonomisë së qytetit.

Protestuesit kanë thënë se do të vazhdojnë të luftojnë këtë ligj, me më tepër protesta të planifikuara në javët në vijim, përfshirë edhe më 4 qershor, në përvjetorin e 31-të të shtypjes së përgjakshme të demonstratave pro-demokracisë të organizuara në Sheshin Tiananmen në Pekin nga autoritetet kineze.

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, ka thënë se e ka certifikuar të mërkurën te Kongresi i SHBA-së se Hong Kongu nuk vazhdon të ketë një tretman të veçantë sipas ligjeve të SHBA-së në mënyrën e njëjtë siç kishte kur territori ishte ende nën ligjet britanike para korrikut të vitit 1997.

“Asnjë person i arsyeshëm nuk mund sot të pohojë se Hong Kongu ka një shkallë të lartë të autonomisë nga Kina, duke marrë parasysh faktet në terren”, ka thënë Pompeo.