Botë

Qytezat në ballë të luftës kundër virusit në Gjermani

Kancelarja Angela Merkel dhe guvernatorët e shteteve kanë vendosur që nëse një qytezë bëhet vatër e koronavirusit, autoritetet duhet të ndërhyjnë. Por liderët lokalë kanë plane të tjera

Greiz, Gjermani, 22 maj (Der Spiegel) – Grezi e reklamon veten si “perlë e Vogtlandit”, rajon panoramik afër kufirit me Çekinë në Gjermaninë Lindore. Megjithatë, këtyre ditëve do të donte të ishte shumë më pak i njohur.

Përhapja e virusit në këtë rajon, të shtrirë në shtetin lindor gjerman Thuringia, supozohet se nisi në një festë familjare në ditën e 29 shkurtit. Dy javë më vonë, autoriteti lokal i shëndetit publik regjistroi pacientin e parë me COVID-19. Rasti i parë fatal u regjistrua më 22 mars, kur një plak 82 vjeç vdiq në shtëpi nga pneumonia. Dy ditë më vonë, autopsia zbuloi se plaku i ndjerë kishte virus. Dhe kjo ditë shënoi edhe zyrtarisht mbërritjen e virusit potencialisht vdekjeprurës në këtë rajon rural të vendit.

Në qendër të vëmendjes

Tani, 44 persona kanë vdekur në rajonin e Greizit dhe 585 janë konfirmuar të infektuar me koronavirusin. Në një raport special, Ministria e Brendshme e Gjermanisë ka zbardhur se jo më pak se tetë shtëpi të kujdesit për pleqtë janë “veçanërisht të prekura”. Dy spitale dhe një fabrikë për prodhim mallrash prej gome konsiderohen vatra infektimesh. Në maj, krahina kishte 88 raste të reja për 100 mijë banorë gjatë një jave – në atë pikë, shkalla më e lartë në vend.

Si rezultat i kësaj, Grezi ka rrokur vëmendjen e liderëve politikë. Rajoni është një prej vatrave të shumta të koronavirusit në Gjermani, bashkë me Coesfeldin në shtetin perëndimor të Nord Rhine-Vestfalisë, Steinburgut në shtetin verior të Schlesvwig-Holsteinit, Rosenheimit dhe Traunsteinit në Bavari dhe Sonnbergut në Thuringia.