Botë

Një aeroplan izraelit ateron në Turqi për herë të parë pas një dekade

Descriptive Text

Për herë të parë në një dekadë, një aeroplan i linjës ajrore izraelite El Al ka ateruar në Turqi. Aeroplani ka ateruar në Turqi për të mbledhur ndihmat humanitare për të ndihmuar SHBA-në në luftë ndaj koronavirusit.

Aeroplan ka ateruar në Stamboll në ora 7 të mëngjesit dhe ka mbledhur 24 tonë ndihma humanitare dhe pajisje për të ndihmuar SHBA-në e goditur rëndë ngas koronavirus.

SHBA-ja ka regjistruar mbi 1.6 milionë raste me koronavirus dhe më tepër se 97.400 të vdekur.

El Al i është dhënë autorizimi për të operuar dy fluturime me qëllime humanitare këtë javë. Kompania ka aplikuar te autoritetet turke për leje që të operojë në baza të rregullta.

Aeroplani është kthyer në Tel Aviv nga Stambolli para se të vazhdonte fluturimin për në New York.

El Al kishte operuar në relacionin Tel Aviv – Stamboll, por fluturimet u pezulluan nga viti 2010 pasi marrëdhëniet mes Izraelit dhe Turqisë u acaruan pas një incidenti në Rripin e Gazës.