Botë

Me ligj të ri, Kina synon zgjerimin e kontrollit në Hong-Kong

Kina do ta vërë në fuqi në Hong-Kong një ligj të ri për sigurinë kombëtare pas trazirave shpesh të dhunshme pro demokracisë vitin e shkuar, të cilat e zhytën qytetin në krizën më të thellë që prej kthimit nën qeverisjen e Pekinit më 1997, ka thënë të enjten një zyrtar kinez.

Paralajmërimi, i cili është konfirmuar nga tri burime të afërta me çështjen, rrezikon që të nxisë protesta të reja anti-Kinë në koloninë e dikurshme britanike, e cila gëzon shumë liri që nuk janë të qasshme në shtetin amë.

Demonstruesit pro demokracisë kanë kundërshtuar fuqishëm për vite me radhë idenë e ligjeve kombëtare të sigurisë, duke argumentuar se ato mund ta minojnë shkallën e lartë të autonomisë së qytetit, të garantuar me formulën “një shtet, dy sisteme” të zbatuar atëherë kur qyteti iu rikthye sundimit të Kinës.

“Në valën e rrethanave dhe nevojave të reja, Kongresi Kombëtar i Popullit (NPC) është duke e ushtruar fuqinë e saj kushtetuese” për ta vendosur një kornizë të re ligjore dhe zbatuar mekanizmin që e garanton sigurinë kombëtare në Hong-Kong, ka thënë Zhang Yesui, zëdhënës për ligjet.

Një gjë të tillë ai e tha gjatë një konference të orëve të vona, në mbrëmjen e fillimit të seancës vjetore parlamentare të Kinës. Hollësitë e mëtutjeshme do të bëhen të ditura të premten, ka shtuar ai.

Mediat në Hong-Kong kanë raportuar se ligji do t’i ndalonte ndarjen, ndërhyrjen e huaj, terrorizmin dhe të gjitha aktivitetet që do të mund të çonin në rrëzimin e Qeverisë qendrore dhe çfarëdo ndërhyrjeje të jashtme në qendrën financiare të vendit.

Ligji, i cili do të diskutohet në NPC, mund të jetë pika që do ta bëjë ndryshimin në qytetin më të lirë dhe më ndërkombëtar të shtetit, duke nxitur potencialisht një rishikim të statusit të tij special në Washington dhe mbase të hapë rrugën për trazira më të mëdha.

Tanimë kanë nisur të postohen online thirrje për protesta gjatë orëve të vona dhe dhjetëra qytetarë kanë bërtitur slogane pro demokracisë në një qendër tregtare, derisa policia ka qëndruar në afërsi.

Demokratët e opozitës kanë bërë të ditur se veprimi do ta dëmtojë rëndë reputacionin e Hong-Kongut si një qendër financiare dhe ta kufizojë shkallën e saj të autonomisë.

“Nëse ky veprim ndodh, formula ‘një shtet, dy sisteme’ do të shlyhet zyrtarisht”, ka thënë ligjvënësi demokrat, Dennis Kwok. “Ky është fundi i Hong-Kongut”, ka shtuar Kwok, i mbështetur nga ligjvënësit e tjerë opozitarë.

Qytetarët e Hong-Kongut vërshuan rrugët vitin e shkuar për të protestuar kundër një ligji tanimë të tërhequr që do ta lejonte ekstradimin e të dyshuarve për krime në Kinën amë. Protestat u zgjeruan përgjatë gjithë vendit për t’i përfshirë kërkesat për demokraci më të gjerë midis perceptimit se Pekini ka thelluar kontrollin mbi qytetin.

Reuters