Botë

OBSH-ja raporton për numrin më të madh të rasteve të reja me koronavirus brenda 24-orëshit

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shprehur shqetësimin të mërkurën për rritjen e numrit të rasteve të reja me koronavirus në shtetet e varfra, edhe pse shumica e shteteve të pasura kanë filluar të dalin nga izolimi, shkruan agjencia Reuters.

OBSH-ja ka njoftuar se janë regjistruar 106 mijë raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, numri më i madh brenda një dite që kur ka filluar shpërthimi.

“Ne ende kemi një rrugë të gjatë për të bërë në këtë pandemi. Jemi shumë të shqetësuar për rritjen e rasteve në shtetet me të hyra të ulëta dhe të mesme”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në konferencë për media.

Dr. Mike Ryan, kreu i programit të emergjencave të OBSH-së, ka shtuar: “Së shpejti do të arrijmë shifrën tragjike të 5 milionë rasteve”.

OBSH-ja është kritikuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për mënyrën menaxhimin e dobët të shpërthimit dhe favorizimin e Kinës. Këtë javë Trump ka kërcënuar të tërhiqet nga OBSH-ja dhe të ndalë në mënyrë të përhershme fondet.

Tedros pranon se ka marrë një letër nga Trumpi, por ka refuzuar të komentojë më tepër.

“Përgjigja është thjeshtë ne kemi marrë një letër dhe po e shikojmë atë”, ka shtuar Tedros.

Në komentet që mund të zemërojnë më tepër Trumpin, kreu i programit të emergjencës te OBSH-ja, Dr. Mike Ryan, ka thënë në konferencë për media se njerëzit duhet të evitojnë përdorimin e ilaçit për malaria, hidroklorokinën, me përjashtim për ato që është konfirmuar se mund të shërojë. Trump ka thënë se po merr hidroklorokinën për të parandaluar infeksionin me koronavirus.

Tedros ka thënë se është i përkushtuar ndaj përgjegjësisë. OBSH-ja ka njoftuar për një rishikim në reagimin ndaj pandemisë, që u shfaq fillimisht në Kinë në fund të vitit të kaluar.

“Unë e kam thënë vazhdimisht se OBSH-ja kërkon përgjegjësi më tepër se kushdo. Duhet të bëhet kjo dhe kur do të bëhet duhet të jetë gjithëpërfshirëse”, tha ai