Botë

Ditët e hershme të shpërthimit të koronavirusit në Wuhan

Mëngjesin e 20 dhjetorit 2019, shitësi kinez i peshqve, Chen Qingbo, po e pastronte shtandin e tij në treg, krejtësisht i pavetëdijshëm se mund së shpejti të vihej në fokusin e një studimi intensiv shkencor, ngase po e bartte më vete një virus për të cilin bota kurrë më parë nuk kishte dëgjuar. As që i shkonte mendja se fati i tij ishte aq fort i lidhur me atë të gjithë njerëzimit.

Ishte zgjuar qysh nga ora 5:00 e mëngjesit dhe veç i kishte kryer dërgesat te myshterinjtë e parë, përfshirë një sërë hotelesh dhe restorantesh në metropolin kinez, Wuhan. Tregu i shitjeve me shumicë dhe pakicë në Huanan, vetëm pak metra larg staconit të trenit, ka qenë baza e veprimtarisë së tij tregtare dhjetë vjetët e fundit, shkruan “Spiegel”, transmeton KOHA. Por rreth orës 11:00, punën ditore e kishte mbaruar dhe hipi në “Chevroletin” e tij për një ngasje të shkurtër nga tregu në shtëpi.

Chen është 42-vjeçar, trupmbushur dhe me syze rrumbullake, i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Kompania e tij e vogël punëson tre punëtorë dhe është pronar edhe i dy kamionëve për dërgesa, një banese në Wuhan dhe dy banesave të tjera në krahinën e prejardhjes së tij, Fujian. Punon çdo ditë të javës, përfshirë fundjavat. “Por atë të premte”, thotë ai, “ndihesha skajshmërisht i lodhur dhe i rraskapitur”.

Ç’është e vërteta, atë pasdite ishte plogështuar aq shumë saqë e vizitoi një mjek të lagjes dhe mori infuzion, një trajtim ky jo i zakontë për Kinën. Punës iu rikthye sërish të shtunën dhe edhe të dielën e të hënën, por dita-ditës po ndihej më keq, e mjeku po dyshonte për infeksion viral. Të martën Chen nuk arriti më të shkonte në treg: Kishte temperaturë dhe kollë. Të mërkurën u paraqit në Spitalin Qendror të Wuhanit. Vetëm katër ditë më vonë, Chen po luftonte për jetën.