Botë

BE-ja përballet me krizën më të madhe në histori

Lajmi i mirë për Evropën është se më e keqja e pandemisë ka nisur të kalojë. Numri i vdekjeve gjatë javës në Itali ka shënuar rënien më të theksuar brenda dy muajsh. Dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë të ditur vendimin se shkollat, qendrat e kujdesit dhe restorantet do të hapen brenda pak ditësh.

Por ky lehtësim mund të jetë jetëshkurtër.

Komisioni Evropian ka nxjerrë projeksionet se ekonomia e Evropës do të pësojë tkurrje prej 7.4 për qind sivjet. Një zyrtar shumë i lartë i Bashkimit Evropian, të themeluar së pari pas Luftës së Dytë Botërore, ka thënë se blloku po kalon “recesionin më të thellë ekonomik në historinë e vet”.

Dhe për ta shtruar këtë shifër në perspektivë, ekonomia e klubit prej 27 shtetesh kishte parashikuar ngritje prej 1.2 për qind sivjet. Më 2009, në kohën e kulmit të krizës financiare globale, shënoi rënie prej 4.5 për qind.

Shenjat ogurzeza

Është një shenjë ogurzezë se edhe nëse virusi zhduket, tkurrja ekonomike do t’i ushtronte presion botës për muaj me radhë, nëse jo edhe vite me radhë.

Në Kinë, ku përhapja e virusit ka nisur të frenohet me të madhe javëve të fundit, fabrikat që janë hambari i zinxhirëve botërorë të furnizimit, kanë nisur punën. Por pak blerës të tyre botërorë kanë treguar gatishmëri gjallërie të vrullshme ekonomike. Dhe kjo do të ndikojë në ngadalësimin e rimëkëmbjes ekonomike të botës.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rritja ekonomike në zonat më të goditura nga rastet me virusin korona që janë përballur me mbyllje e tash me rihapje të ngadalshme, ka filluar të shfaqë shenja se rimëkëmbja mund të jetë e pakapshme. Qeveria amerikane pritet të publikojë të premten raportin e përmuajshëm të punësimit dhe shumëkush parashikon se do të ketë më shumë se njëzet milionë vende të humbura pune se në prill – një numër që do të çonte në fund të pusit vendet e punës të krijuara prej një dekade aktiviteti ekonomik.

Bashkimi Evropian me 440 milionë banorë është partneri numër një tregtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe i dyti i Kinës. Është investitori më i madh i huaj në Afrikën Nënsahariane dhe në pjesët e tjera të botës në zhvillim.

Ndasitë politike

Recesioni i zgjatur evropian, vala e dytë e virusit dhe rimëkëmbja e brishtë ekonomike do t’ua shtonin edhe më shumë mjerimin shumë evropianëve. Njashtu do të dëmtoheshin shumë kompani, banka dhe qytetarë anembanë botës. Kriza po ringjall edhe ndasitë politike ndërmjet veriut më të pasur dhe jugut më të varfër, duke kërcënuar me prishje të baraspeshës ndërmjet shteteve divergjente me ekonomi të lidhura pazgjidhshmërisht.

Rimëkëmbja mbase mund të mos fillojë as në gjysmën e dytë të vitit, ka deklaruar Paolo Gentiloni, komisionar evropian për Ekonomi, në një konferencë për media pas publikimit të parashikimit, që nxirret katër herë në vit. Por deri në fund të vitit 2021, shtetet e Bashkimit Evropian do të jenë në formë më të keqe se para dy muajsh, para se virusi me kurorë ta mbërthente kontinentin. Bruto-prodhimi i brendshëm amerikan pësoi rënie prej 4.5 për qind në tre muajt e parë të vitit, dhe disa ekonomistë besojnë se do të tkurret në normë vjetore deri në tridhjetë për qind ose më shumë në çerekun e tanishëm.

“Rreziku i një recesioni më të thellë dhe më të zgjatur është shumë real”, ka deklaruar drejtuesi i njësitit ekonomik të komisionit, Maarten Vervey, në parathënie të parashikimit.

Frika nga vala e dytë e virusit

Rikthimi i virusit pas mbylljeve ekonomike do të ndikonte negativisht për tre për qind të performancës së sivjetme ekonomike, ka deklaruar ai.

Ekonomitë e Italisë dhe Spanjës, dy shtetet të goditura më së shumti nga sëmundja, me gjasë do të pësojnë rënie prej nëntë për qind sivjet, dhe ekonomia e Italisë do të hasë në telashe specifike që do të ngadalësojnë edhe më shumë rimëkëmbjen, ka paralajmëruar Gentiloni.

Greqia, që kishte nisur të shënonte një kthesë të mbarë pas një dekade hataje ekonomike, do të goditet më së keqi në union, tregojnë parashikimet, duke humbur 9.7 për qind të të hyrave ekonomike të planifikuara për sivjet. Polonia do të kalojë më së lehti, me një recesion prej 4.5 për qind.

Dhe papunësia me gjasë do të arrijë deri në nëntë për qind në bllok, ka bërë të ditur Komisioni Evropian, nga 6.7 për qind sa ishte vjet.

Ekonomia më e madhe e bllokut, Gjermania, gjithashtu do të goditet, duke pësuar recesionin më të thellë ekonomik prej Luftës së Dytë Botërore, me rënie që pritet të shkojë deri në 6.5 për qind, por pritet që ta rimarrë veten relativisht shpejt. Franca, ekonomia e dytë më e madhe, pritet të tkurret për 8.5 për qind sivjet.

Rënia e madhe ekonomike në Evropë do të ketë reperkusione të mëdha për ngritjen ekonomike dhe vendet e punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak se dy ekonomitë janë të ndërlidhur ngushtësisht. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partnerët më të mëdhenj ekonomik të njëra-tjetrës, duke shkëmbyer mallra dhe shërbime në vlerë prej 1.3 bilionë dollarësh amerikanë në vit. Kompanitë evropiane, si Daimler, BMW ose Siemens punësojnë më shumë se katër milionë punëtorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregojnë të dhënat qeveritare amerikane. \ NYT