Botë

Kina do të marrë reagime edhe më të ashpra nga bota shkaku i koronavirusit

Descriptive Text

Një raport i brendshëm kinez paralajmëron Pekinin se do të përballet me një valë armiqësie në rritje për shkak shpërthimit të koronavirusit, gjë e cila do t’i përkeqësojë marrëdhëniet më SHBA-në, ka shkruar agjencia e lajmeve Reuters të hënën.

Ky raport, i prezantuar në fillim të muajit të kaluar nga Ministria e Sigurisë së Shtetit, e që iu dha udhëheqësve kryesorë në Pekin, përfshirë presidentin Xi Jinping, erdhi në përfundim se ndjenja globale anti-kineze është në nivelin më të lartë që nga viti 1989, kur u shtypën ashpër protestat e studentëve në sheshin Tiananmen.

Si rezultat i kësaj, Pekini po përballet me një valë të ndjenjave anti-kineze, të udhëhequra nga SHBA-ja gjatë pandemisë dhe duhet të jetë e përgatitur për më të keqen - konfrontimin mes këtyre dy fuqive globale.

Marrëdhëniet në mes të Kinës dhe SHBA-së mendohet të jenë në pikën më të ulët në dekada, me thellimin e mosbesimit dhe me akuzat e SHBA-së për praktika jo të drejta të tregtisë dhe teknologjisë e deri te mosmarrëveshjet rreth Hong Kongut, Tajvanit dhe territoreve të kontestuara në Detin e Kinës Jugore.

Në Pekin, besohet se SHBA-ja dëshiron të ndalojë ngritjen e Kinës, e cila me rritjen e ekonomisë është fuqizuar globalisht.

SHBA-ja ka akuzuar Kinën për fshehjen e informatave të hershme mbi koronavirusin, i cili së pari u shfaq në qytetin Wuhan. Pekini vazhdimisht ka mohuar se e ka mbuluar shkallën dhe ashpërsinë e shpërthimit të virusit.