Botë

Ndërpritet trendi i rënies, në Itali 474 të vdekur nga koronavirusi për një ditë

Numri i vdekjeve në ditë nga koronavirusi ka shënuar sërish rritje në Itali. 474 persona kanë vdekur të shtunën, që paraqet rritje të konsiderueshme të numrit nga 269-shi sa ishte një ditë më parë, kanë bërë të ditur autoritetet italiane.

Kjo është dita me më së shumti vdekje që nga 21 prilli. Ngritja vjen pas një trendi gradual të rënies. Kjo erdhi për shkak të shpërthimit të numrit të vdekjeve në Lombardi, ku 329 persona vdiqën në 24 orët e fundit në krahasim me 88 sa ishin një ditë më parë.

Numri ditor i rasteve të reja me infeksion ishte 1900, nga 1965 sa ishte të premten.

Numri total i të vdekurve në Itali tani është 28710, që paraqet vendin e dytë pas Shteteve të Amerikës. Numri total i të infektuarve me Covid-19 në Itali është rreth 210 mijë, që e bën Italinë vendin e tretë me më së shumti të infektuar pas SHBA-së e Spanjës.