Botë

Mund të ketë një valë të dytë dhe të tretë të koronavirusit, paralajmëron OBSH-ja

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Europë, ka paralajmëruar se shtetet duhet të përgatiten për një ‘’valë të dytë ose të tretë’’ të koronavirusit, derisa të zhvillohet një vaksinë.

Dr. Hans Kluge ka thënë se Europa është ende ‘’në grusht’’ të pandemisë pa marrë parasysh uljen e numrit të rasteve, pasi që shumë shtete janë në izolim.

Kluge ka paralajmëruar që ‘’Covid-19’’ nuk do të zhduket në të ardhmen e afërt, dhe ka thënë se shëndeti publik duhet të ketë një ‘’qëndrim të fortë’’ nëse kthehet virusi, transmeton KOHA.

Shkencëtarët rreth botës janë duke bërë gara për të zhvilluar një vaksinë e cila do të kishte efekt kundrejt koronavirusit, mirëpo gjasat janë se zhvillimi i kësaj vaksine nuk do të ndodhë edhe disa muaj.

‘’Nëse vala e parë ka ndodh, kjo do të thotë se ne kemi kohë të përgatitemi për një valë të dytë ose të tretë, sidomos në qoftë se nuk ka vaksinë. Çështja kryesore është të jemi të përgatitur, qoftë ajo për një valë të dytë, apo të tretë. Kjo do të kërkojë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e të gjithëve, në veçanti pasi që stina e verës po vjen, dhe të gjithë duhet të mundohemi të përshtatemi me realitetin e ri, ku shëndeti i popullit të jetë në rend të parë’’, ka thënë Dr. Kluge në një mbledhje të OBSH-së, shkruan Daily Mail.

Disa pjesë në Europë, janë duke kaluar në fazën pas izolimit, ku shkollat dhe dyqanet veçse janë hapur dhe në disa shtete. Sidoqoftë, Britania është ende në izolim dhe nuk ka datë se kur do të hiqet kjo fazë e izolimit sepse numri i vdekjeve po vazhdon të rritet.

Dr. Kluge gjithashtu tha se ka shenja pozitive që Europa e ka kaluar pikun e virusit, mirëpo ende nuk është liruar komplet nga virusi.

‘’Ne jemi duke parë numra më të ulët, mirëpo duhet t’i kemi nën mbikëqyrje këto zhvillime çdo ditë’’ shtoi ai.

Në Britani, kompania biofarmaceutike, AstraZeneca, është duke bërë punuar me Universitetin e Oxfordit për shpërndarjen e një vaksine, në qoftë se ndonjë studim klinik del i suksesshëm.

Rezultatet pritet të jenë të gatshme nga mesi i qershorit.

Dhjetëra vaksina janë në zhvillim e sipër, mirëpo OBSH-ja ka thënë se gjetja e një vaksine që ka efekt, mund të merr kohë nga 12 deri në 18 muaj.

‘’Një nga gjërat shumë të qarta gjatë kësaj pandemie është se kemi vërtetuar se edhe shtetet me sistemet shëndetësore më të mira në botë, mund të shkatërrohen. Kështu që mësimi më i madh, në këtë kohë është se sistemet shëndetësore duhet të jenë në fillim të agjendës politike. Shëndeti është drejtues i ekonomisë, çka po shohim tani është se pa shëndet, nuk ka ekonomi. Pa shëndet, nuk ka siguri kombëtare. Kur të dalim nga kjo pandemi, me përpjekjet e të gjithëve, ky është një mësim që nuk duhet të harrohet’’ ka shtuar Dr. Kluge.