Botë

Ballafaqimi i Indisë me koronavirusin

Para një muaji, e ardhmja e Indisë dukej e tmerrshme.

Ekspertët patën parashikuar që India mund të ketë miliona raste të njerëzve me koronavirus. Mjekët paralajmëruan se India duhej të përgatitej për një mori rastesh, të cilat mund të dëmtonin edhe më shumë sistemin shëndetësor, i cili veç se është në gjendje të keqe, ku as produktet bazike të sanitarisë nuk janë në dispozicion, raporton CNN.

Mirëpo, deri tani, vendi i dytë më i populluar në botë, duket se e ka shmangur më të keqen.

Nga dita e martë, India ka pasur 31.360 njerëz të infektuar dhe 1.008 vdekje, që do të thotë 0.76 vdekje në një milionë. Krahasuar këtë shifër me shifrat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku numri i vdekjeve për milionë është më shumë se 175, mund të thuhet se izolimi në Indi ka ndihmuar në parandalimin e përhapjes së pandemisë, transmeton Koha.

‘’India nuk ka pritur që problemi të eskalojë. Menjëherë pas shfaqjes së këtij problemi, ne u munduam ta parandalonim përhapjen e tij. Nuk mund të imagjinoj se si do të ishte situata tani, po të mos i kishim marr masat me fillim’’, ka thënë kryeministri i Indisë, Narendra Modi, në një paraqitje televizive.

India ka marr masat e izolimit shumë shpejtë në krahasim me Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Kur India kishte vetëm 519 raste të konfirmuara me koronavirus, shteti u izolua, ndërsa Italia u izolua vetëm pas 9.200 rasteve dhe Mbretëria e Bashkuar pas 6.700 rasteve.

Më 11 mars, India suspendoi vizitat turistike dhe lajmëroi që të gjithë ata që kanë udhëtuar do të izolohen për të paktën 14 ditë. Ndërsa, nga 22 marsi, të gjitha fluturimet u ndaluan së bashku me udhëtimin me tren.

Megjithëse pandemia në Indi nuk është përhapur në masë të madhe, ka shumë polemika se çfarë do të ndodh pas zbutjes së masave që pritet që do të ndodhin më 3 maj.