Botë

Ministri brazilian i drejtësisë jep dorëheqje, përplaset me presidentin

Ministri i drejtësisë në Brazil, që gëzon popullaritet të madh në këtë shtet latin, ka dhënë dorëheqje nga posti dhe ka akuzuar presidentin Jair Bolsonaro për ndërhyrje politike.

Sergio Moro, ish-gjykatës që mbikëqyri një prej aksioneve më të mëdha kundër korrupsionit, ka dhënë dorëheqje pasi presidenti shkarkoi shefin e policisë.

Moro ka deklaruar se presidenti ka kërkuar ta sjellë në krye të policisë dikë që do t’i jepte informacione të drejtpërdrejta të inteligjencës.

Presidenti është arsyetuar se është detyrë e tij të shkarkojë e emërojë ministra.

Ndërsa prokurori publik i Brazilit ka kërkuar nga Gjykata Supreme që të lejojë nisjen e hetimeve për akuzat e ish-ministrit drejtuar presidentit.