Botë

Ramazani nën hijen e izolimit

Descriptive Text

Muaji i shenjtë i Ramazanit ka nisur të premten teksa vendet më të shenjta islame në Arabinë Saudite dhe në Jerusalem janë mbyllur për besimtarë, pasi që autoritetet janë shtrënguar që të ndërmarrin masa të pashembullta të kufizimit si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, myslimanët kudo nëpër botë bashkohen me familjet e tyre për iftare dhe shkojnë të gjithë në xhami për t’u falur. Por pandemia i ka ndryshuar prioritetet e sivjetme, duke shtrënguar zbatimin e kufizimit për tubimin e një numri të madh besimtarësh për namaz dhe për iftare publike.

Në një ngjarje të rrallë në historinë më se 1.400-vjeçare të islamit, Xhamia e Madhe e Mekës dhe Xhamia e Profetit Muhamed - dy prej vendeve më të shenjta të islamit - do të mbesin të mbyllura gjatë gjithë muajit të agjërimit, transmeton KOHA.

Faljet brenda xhamive në Mekë, në mbrëmjen e parë të Ramazanit, ishin të kufizuara vetëm për hoxhallarët, stafin e sigurimit dhe punëtorët e pastrimit. Ceremonia ishte transmetuar drejtpërsëdrejti në ekranet televizive. Në xhaminë e afërt Al-Aqsa në Jerusalem, një imam e thirri faljen e namazit të parë të Ramazanit të premten, teksa zëri i tij jehonte përtej platosë së gjerë të xhamisë, pothuajse tërësisht pa besimtarë.

Lutje me distancë sociale

Një numër i vogël imamësh myslimanë, të pajisur me maska mbrojtëse, ranë në gjunjë, duke e mbajtur distancën prej të paktën dy metrash prej njëri-tjetrit, duke e zbatuar masën e parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

“E lusim Zotin që të na mëshirojë, neve dhe të gjithë njerëzimin, dhe të na shpëtojë nga kjo pandemi vrastare”, ka thënë imami.

Ramazani normalisht i bën bashkë çdo ditë me dhjetëra e mijëra myslimanë nëpër xhami dhe në “Kupolën e Shkëmbit” në Jerusalem. Sivjet, në vend të kësaj, besimtarë do të detyrohen që lutjet t’i përcjellin përmes televizionit. Besimtarët myslimanë përreth botës po përballen në një Ramazan të pazakontë, pa tubimet e rëndomta për falje nëpër xhami. Kjo gjë nuk ka ndodhur tash e sa kohë.

Përhapje masive e koronavirusit në Azi Qeveritë e shtetet e Azisë me popullatë të madhe myslimane kanë nxitur qytetarët që ta mbajnë distancën e duhur teksa e ushtrojnë besimin e tyre me fillimin e Ramazanit, duke iu frikësuar një shpërthimi masiv të koronavirusit. Shpërthimi i hershëm i rasteve në Azi, ku jetojnë mbi 1.8 miliardë myslimanë, ishte gjurmuar në disa raste mes besimtarëve që po ktheheshin nga Irani dhe Arabia Saudite, por edhe nga Afganistani e Pakistani, apo mes të mbledhurve në grupe besimtarësh në Indi dhe Malajzi.

“Njësoj si kur agjërojmë, duhet të përmbahemi dhe të luftojmë kundër dëshirave tona”, ka thënë kryeministri i Malajzisë, Muhyiddin Yassin, në një adresim televiziv para shtetit, i cili është njëkohësisht njëri prej më të goditurve në Azinë Juglindore.

Të enjten, qeveria malajziane i vazhdoi masat e kufizimit të lëvizjes deri më 12 maj, i anuloi pazaret e famshme të mbrëmjes dhe e ndaloi shkuarjen në xhami për lutje, ndërkohë që e ndaloi udhëtimin e njerëzve nëpër qytetet e tyre të lindjes.