Botë

Nga 4 maji, Italia do t’i zbusë masat kufizuese

Descriptive Text

Italia do të njoftojë para fundit të kësaj jave planet për rihapjen graduale të bizneseve, të cilat janë mbyllur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Kjo masë do të aplikohet nga 4 maji, ka thënë të martën kryeministri Giuseppe Conte, raporton Reuters.

Mbyllja e shumicës së bizneseve dhe kufizimi i lëvizjes së njerëzve përveç në rastet për nevoja thelbësore, ka filluar nga 9 marsi dhe kjo ka krijuar një tendosje të madhe në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës.

Përmes një postimi në Facebook, Conte tha se do të kishte dëshirë që gjithçka t’i kthehet normales qysh nesër, por një vendim i tillë do të ishte i papërgjegjshëm. Një vendim i tillë do ta rriste numrin e infektimeve në mënyrë të pakontrolluar dhe do të anulonte të gjitha përpjekjet që janë bërë deri më tani.

Pasi Qeveria me 22 mars mbylli bizneset që nuk konsiderohen thelbësore për zinxhirin e furnizimit, kohët e fundit thirrjet janë rritur nga lobet e industrisë për të rihapur disa aktivitete në mënyrë që të parandalohet një katastrofë ekonomike.

Thesari i Italisë pret që ekonomia të tkurret me rreth 8 për qind këtë vit, duke nënvizuar ndikimin negativ të kufizimeve mbarëkombëtare.

"Lehtësimi i kufizimeve do të ndodhte në bazë të një studimi të plotë dhe të dhënave shkencore dhe jo të kënaqjes së një pjese të opinionit publik ose të plotësimit të kërkesave të disa kategorive të prodhimit, ndërmarrjeve individuale ose rajoneve specifike", ka thënë Conte.

Sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile, numri i rasteve të reja me COVID-19 ka rënë në 2.256 të hënën dhe ky është niveli më i ulët ditor brenda muajit. Numri i përgjithshëm i vdekjeve si pasojë e koronaviusit është 24.114, i dyti në botë pas SHBA-së, përderisa i të infektuarve ka shkuar mbi 180 mijë.