Botë

Macroni e sheh fundin e BE-së me shtetet që po i braktisin liritë për ta luftuar koronavirusin

Emmanuel Macroni i sheh si rrezik shtetet si Hungaria, të cilat po braktisin liritë për ta luftuar përhapjen e koronavirusit. I quan kërcënim për demokracitë perëndimore duke paralajmëruar në esencë fundin e BE-së me shtete të tilla, gjë që ia mbyll rrugën Ballkanit.

Për kapitalizmin, liritë dhe keqpërdorimin e tyre gjatë pandemisë, ashtu si edhe planet për Evropën të këputura në gjysmë, presidenti francez ka folur në një intervistë të gjatë për “Financial Times”, transmeton KOHA.

Ka insistuar se braktisja e lirive për ta luftuar sëmundjen do të përbëjë kërcënim për demokracitë perëndimore.

“Disa shtete janë duke e bërë atë zgjedhje në Evropë”, thotë ai, duke aluduar qartazi në Hungarinë dhe vendimin e Victor Orbanit për të udhëhequr me dekret. “Nuk mund ta pranojmë atë gjë. Nuk mund të heqësh dorë prej ADN-së sate mbi bazën se ka krizë shëndetësore”.

Në intervistë presidenti francez parashikon se pandemia do ta transformojë kapitalizmin, por se liderët e botës duhet të veprojnë me përulësi.

“Të gjithë jemi nisur drejt të paimagjinueshmes”, thotë ai.

Për dallim prej liderëve tjerë botërorë, prej Donald Trumpit në SHBA, e deri tek Xi Jinpingu në Kinë, të cilët po mundohen t’i kthejnë shtetet e tyre aty ku ishin para pandemisë, Macroni 42-vjeçar thotë se krizën e sheh si kërcënim ekzistencial për njerëzimin, që do ta ndryshojë natyrën e globalizimit dhe strukturën e kapitalizmit ndërkombëtar.

Si lider liberal evropian në një botë nacionalistësh të prerë, Macroni shpreson që trauma e pandemisë do t’i bëjë shtetet bashkë, në veprime të përbashkëta, për t’i ndihmuar më të dobëtit në kapërcimin e krizës. Por, ai nuk e fsheh shqetësimin se mund të ndodhë e kundërta dhe se mbylljet e kufijve, rrëmuja ekonomike dhe humbja e besimit tek demokracia do t’i fuqizojë autoritarët dhe populistët, të cilët janë munduar ta eksploatojnë krizën. Fjalën e ka për shtete të ndryshme, prej Hungarisë e deri tek Brazili.

“Mendoj se është tronditje e thellë antropologjike”, thotë ai. “E kemi ndalur gjysmën e planetit për të shpëtuar jetë dhe nuk ka precedent për këtë gjë në histori”, thotë ai.

Por, si vazhdon “e tërë kjo do ta ndryshojë natyrën e globalizmit, me të cilin kemi jetuar gjatë 40 viteve të kaluara… E kemi pasur përshtypjen se nuk kishte më kufij. Gjithçka konsistonte në qarkullimin gjithnjë e më të shpejtë dhe akumulimin”.

I pari i Francës ka bërë një përmbledhje të këtij 40-vjetëshi.

“Ka pasur suksese të vërteta. Janë hequr qafe totalitarët, ka rënë Muri i Berlinit teksa qindra miliona njerëz kanë dal nga varfëria. Por posaçërisht gjatë viteve të fundit është thelluar pabarazia te shtetet në zhvillim. Dhe, ishte e qartë se ky lloj i globalizmit po e mbërrinte fundin e ciklit, po e rrënonte demokracinë”, ka thënë.

Ai po ashtu paralajmëron se dështimi për përkrahjen e anëtarëve të BE-së, të goditur më së rëndi nga pandemia, si Italia dhe Spanja, do t’ia sigurojë fitoren populistëve, në Francë, Itali dhe gjetkë.