Botë

Kryebashkiakja e Barcelonës bën thirrje për t’i lënë fëmijët spanjollë të dalin nga shtëpitë

Kryebashkiakja e Barcelonës, Ada Colau, ka bërë thirrje për t’u dhënë fund masave të ashpra për fëmijët.

Colau, e cila është vetë nënë e dy fëmijëve (3 dhe 9) thirrjen e ka bërë përmes Facebookut.

“Mos prisni më: lironi fëmijët tanë”, ka shkruar ajo, njofton BBC-ja, transmeton KOHA.

Spanja është vendi i vetëm në Evropë ku fëmijëve nuk u lejohet të dalin nga shtëpitë. Në të njëjtën kohë, ky shtet ka pasur raste të konfirmuara me koronavirus më shumë sesa cilido shtet tjetër evropian.

Colau ka argumentuar se fëmijëve duhet t’u lejohet të dalin në lagjet e tyre sipas “udhëzimeve të ekspertëve shëndetësorë” dhe ka shtuar se shqetësimi i saj është “shëndeti psikologjik e emocional” i fëmijëve.

“Na kanë lodhur duke na thënë që jemi ushtarë në një luftë, në vend se të na tregojnë se si të kujdesemi për jetët e njëri-tjetrit”, ka shkruar ajo.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka shpallur karantinimin e vendit më 14 mars dhe më pas e ka zgjatur atë deri më 26 prill. Punëtorëve ndërtimorë dhe të disa shërbimeve tjera do t’u lejohet të punojnë brenda javës, mirëpo nxënësit nuk do të shkojnë në shkollë deri më 2 maj.