Botë

Greqia në krizë për punëtorë sezonalë, kërkon 10 mijë shqiptarë për punë

Greqia ka nevojë për më shumë se 50 mijë punonjës sezonalë në vit në sektorin e bujqësisë dhe po kaq edhe në sektorin e turizmit. Në shumicën dërrmuese të tyre, forca punëtore janë nga Shqipëria, Rumania dhe Bullgaria.

Ministri grek i Bujqësisë Makis Vorodhis, tha se Athina zyrtare është e shqetësuar lidhur me situatën e krijuar mbas mbylljes së kufijve, pasi nëse kjo situatë do të vazhdojë, fermerët greke rrezikojnë të çojnë dëm prodhimin e frutave dhe perimeve të këtij viti, me një dëm tepër të lartë për ekonominë e vendit.

Por, për të mësuar detaje të reja rreth kësaj iniciative të shtetit fqinj, Euronews Albania zhvilloi një bisedë me aktivisten shqiptare që jeton në Greqi, zonjën Arminda Plangarica. Ajo theksoi se ministri i Bujqësisë në Greqi për herë të parë ka pohuar se dora e punëtorëve shqiptarë në sektorin e bujqësisë është e pazëvendësueshme. Sipas saj, pa ndihmën e punëtorëve shqiptarë prodhimii këtij rrezikon të hidhej në erë.

“Natyrisht janë krijuar disa tema pas përhapjes së virusit COVID-19, një nga temat tepër serioze është edhe mbyllja e kufijve. Siç jeni edhe ju në dijeni, në të dyja anë e kufirit kemi bllokim të kalimit, dhe kjo është tepër e natyrshme, sepse në radhë të parë do të ruajmë sigurinë e qytetarëve, dhe pastaj do të shohim diçka tjetër që vjen pas kësaj. Siç thatë edhe ju, Athina zyrtare ka shprehur një shqetësim mjaft të madh për këtë temë. I pari ishte Vorodhis, i cili bëri një deklaratë që në fakt nuk e prisnim nga ministri i Bujqësisë. Ai pranoi, dhe këtu kemi një fakt dhe një lajm, sepse pranoi zyrtarisht që dora shqiptare në sektorin e bujqësisë është e pazëvendësueshme, dhe nga ana e tjetër tha se kemi problem se nëse kjo dorë nuk do të vijë këtë vit, prodhimi do të hidhet në erë”, tha ajo.

Aktivistja shqiptare zbuloi një bisedë, të cilën e ka zhvilluar një vit më parë me Presidentin e Konsorciumit të Kooperativave në Greqi në lidhje me nevojën që ka shteti fqinj për krahun e punës në bujqësi. Ajo tha se kryefjala e bisedës ka qenë hartimi i një politike institucionale, me anë të së cilës, do të krijohej mundësia për të sjellë punëtorë të organizuar nga Shqipëria. Ajo tha se kjo çështje në këto momente që flasim është drejt hapit final dhe pritet vetëm fjala e autoriteteve shtetërore.

“Një vit më parë, pa e menduar se do të arrinim në këtë pikë kaq kritike, patën diskutuar në një tavolinë punë me Presidentin e Kosorciumit të Kooperativave, se si mund të bëhet ardhja e shqiptarëve në mënyrë institucionale. Pra, shqiptarët të mos vijnë spontanisht, siç vijnë tani e tetë vjet me viza tremujore, secili për llogari të tij dhe natyrisht këtu hyjnë edhe shumë tema të tjera; puna në të zezë, rrogat e ulëta apo dita e punës sipas dëshirës së çdo fermeri. Diskutuam në mënyrë institucionale, pa e menduar se do të arrijmë në këtë pikë kritike, e cila mund të na japë një mundësi kaq të madhe. Sapo u paraqit ky problem, mbyllja e kufijve nga të dyja palët, i pari që e dha këtë ide ishte Presidenti i Konsorciumit të Kooperativave, i cili këmbëngul dhe kërkon që këta punëtorë ndihmës të fermerëve grekëm të vijnë të organizuar. Faktikisht në këtë moment ka një organizim dhe jemi në pikën përfundimtare të marrin ok nga Greqia, sepse tashmë është Greqia ajo që vendos hapjen e kufijve”, tha ajo.

Aktivistja shqiptare tha se bujqësia greke në zonën ku ajo jeton ka nevojë për 10 mijë shqiptarë, të cilët do të shkojnë në mënyrë të organizuar dhe do t’u nënshtrohen testeve rigoroze.

“Zona ku jetoj unë ka nevojë për 10 mijë shqiptarë që duhet të vijnë. Shqiptarët që do të vijnë do të jenë të organizuar dhe po punohet me agjenci të certifikuara, agjencia transporti të certifikuara, të cilat do t’i sjellin dhe e ka marrë përsipër vetë Greqia. Do vijnë të kontrolluar, do kalohen në teste, ku jepen rezultatet brenda ditës dhe më pas do të karantinohen në hotelet e zonës. Pra, nuk ka lajm se kufiri do hapet, por është vetëm kjo pjesë e krahut të punës, që do vijnë dhe do të jenë të miratuar në mënyrë institucionale. Është një lajm i mirë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për ne që jetojmë këtu. Është një zinxhir, i cili po u thye do të shkaktojë probleme”, tha ai.