Botë

Warren mbështet Bidenin për president

Senatorja Elizabeth Warren e ka shpallur zyrtarisht mbështetjen për kandidaturën e Joe Biden për president të Shteteve te Bashkuara të Amerikës. Ish kundërkandidatja e Biden e ka bërë të ditur këtë në Twitter përmes një videoje mbështetëse.

“Empatia ka rëndësi. E tash në kohë krize, është më e rëndësishme se kurrë që presidenti i ardhshëm t’ua rikthejë amerikanëve besimin në qeverisje të mirë dhe efektive”, ka thënë Warren, transmeton Koha.

Veç tjerash ajo ka thënë së Bideni ka kaluar gati një jetë të tërë në shërbim të publikut.

“Ai e di se një qeveri që udhëhiqet me integritet, kompetencë e me zemër, do t’i shpëtojë jetët dhe ruajë mjetet e jetesës (së njerëzve). E ne nuk mund ta përballojmë që ta lëmë Donald Trump-in të vazhdojë t’i rrezikojë jetët dhe mjetet e jetesës së secilit amerikan”, ka thënë po ashtu Warren duke shtuar se është krenare që po e shpall përkrahjen për Bidenin.

Warren ka qenë kundërkandidate e Bidenit deri në muajin e kaluar, kur u tërhoq nga gara. Nga gara demokrate është tërhequr së fundi edhe senatori Bernie Sanders, i cili ngjashëm më Warren, e ka shprehur publikisht përkrahjen e tij për Bidenin.