Botë

Demokratët e Senatit propozojnë premi deri 25 mijë dollarë për punëtorët që po luftojnë Covid-19

Foto: Reuters

Demokratët e Senatit të martën kanë zbuluar një propozim për t’iu rritur pagën punëtorëve esencialë që janë në vijën e parë të frontit në luftën ndaj koronavirusit, në dhjetëra mijëra dollarë.

Një pagë deri në 25 mijë dollarë do të mund ta merrnin për një periudhë kohore sa ata konsiderohen esencialë në këtë luftë, e këtu përfshihen punëtorët e kujdesit shëndetësorë, barnatoret, dyqanet ushqimore, punëtorët e sanitarisë, drejtuesit e kamionëve, punëtorët e transportit dhe të gjithë punonjësit federalë me pozicione në vijën e frontit, të tillë si punëtorët e Shërbimit Postar, transmeton KOHA.

“Jo të gjithë heronjtë mbajnë kapele. Për këta amerikanë puna nga shtëpia nuk është opsion, distancimi social nuk është opsion”, është shprehur, Chuck Schumer, udhëheqësi i pakicave të Senatit.

Schumer tutje ka shtuar se rritja do të ishte ekuivalente me 13 dollarë për orë, dhe do të zbatohej në mënyrë retroaktive që nga fillimi i emergjencës shëndetësore, më 27 janar deri në fund të vitit.

Ai thotë se punëtorët shëndetësorë gjithashtu mund të marrin premi deri në 15 mijë dollarë si pjesë e programit për të rekrutuar dhe mbajtur disa punonjës mjekësorë në fushat që po pësojnë mungesa, shkruan News Week.

Përfitimet do të zbatohen në mënyrë retroaktive për ata që tashmë punojnë në vijën e frontit dhe familjet e punonjësve shëndetësorë të cilët kanë vdekur për shkak të koronavirusit.

“Po u kërkojmë këtyre punëtorëve të rrezikojnë shumë. Ata duhet të kompensohen për këtë”, u shpreh Schumer. “Këta amerikanë janë heronj të vërtetë të kësaj pandemie dhe duhet të sigurohemi se kanë përkujdesje. Ata janë aty për ne, prandaj edhe ne duhet të jemi aty për ta”.

Punëtorët esencialë që kanë pagë vjetore më pak se 200 mijë dollarë, do të merrnin premi deri në 25 mijë dollarë, kurse që kanë pagë më shumë se 200 mijë dollarë do të merrnin maksimum 5 mijë dollarë.