Botë

Për 24 orë, në Britani vdiqën 786 persona nga COVID-19

Foto: Reuters / ilustrim

Bilanci i të vdekurve nga koronavirusi në Britaninë e Madhe është rritur për 786 në 6,159 persona, nga ora 16:00 (koha lokale) e datës 6 prill, ka njoftuar ministria e Shëndetësisë të martën.

Nga ora 08:00 (koha lokale) e së martës, 213,181 persona janë testuar nga të cilët 55,242 ishin pozitivë, një rritje nga dita e djeshme kur ishin 51,608, tha Departamenti i Shëndetësisë dhe i Kujdesit Social, raporton Reuters.

Më herët, të dhënat treguan se bilanci i viktimave në spitalet britanike nga koronavirusi ishte rritur për 758 në 5,655, që paraqet një rritje, transmeton KOHA.

29 nga viktimat e fundit në Angli nuk kishin ndonjë sëmundje tjetër përcjellëse dhe moshat e personave që vdiqën ishin nga 23 deri në 102.

Me këtë bilanc të të vdekurve të shënuar të martën, në Angli ka pothuajse dyfishim të viktimave, nga 403 sa u regjistruan të hënën.

Megjithatë, një zyrtar i Shërbimit Shëndetësor Kombëtar tha se kjo rritje e numrit të viktimave me gjasë ka reflektuar konfirmimet e ngadalta të vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi gjatë vikendit në spitalet angleze.