Botë

SHBA-ja hyn në javën “më të rëndë” të pandemisë së koronavirusit

Foto: Reuters

SHBA-ja hyn në njërën prej javëve më kritike të pandemisë së koronavirusit, me rritjen dramatike të numrit të të vdekurve në New York, Michigan dhe Louisiana.

New Yorku, shteti më i goditur në SHBA, ka raportuar të dielen për 600 të vdekur brenda 24 orëve të kaluara, gjë që e ka ngritur në 4.159 numrin e përgjithshëm të të vdekurve. Ndërkohë, numri i të infektuarve në këtë shtet ka mbërritur në 122.000.

Trupat e pajetë të viktimave të COVID-19, sëmundjes respiratorike të shkaktuar nga koronavirusi, janë vënë në qese të portokallta, brenda një morgu të improvizuar jashtë Qendrës Mjekësore “Wyckoff Heights” në Brooklyn, sipas fotografive të Reutersit, transmeton KOHA.

Drejtori i përgjithshëm i Shëndetësisë Publike në SHBA, Jerome Adams ka paralajmëruar të dielen se SHBA-në e presin ditë të rënda, por se “ka dritë në fund të tunelit, po qe se secili e kryen punën e vet gjatë tridhjetë ditëve të ardhshme”.

“Kjo do të jetë java më e vështirë dhe më e hidhur për amerikanët. Do të jetë çasti ynë i ‘Pearl Harbor’-it, çasti i '11 shtatorit', vetëm se tani nuk do të jetë i lokalizuar. Do të ndodhë gjithkah nëpër SHBA. Dhe, dua që Amerika ta kuptojë atë”, ka thënë ai.