Botë

Gazetaria e dëmtuar rëndë nga pandemia

Descriptive Text

Evropianët mund të jenë vërshuar me lajme, mirëpo vetë gazetaria është nokautuar nga përhapja e koronavirusit. Gazetarëve u është kufizuar lëvizja teksa kanë pak qasje në ngjarje dhe po flasin rrallë me zyrtarë e politikanë.

Industria e mediave po i humb të hyrat nga reklamat në momentin kur kompanitë po përballen me vështirësi ekonomike, duke e kërcënuar kësisoj ndjeshëm gazetarinë e botës. Gazetarëve po u kërkohet të mos pushojnë ose janë të detyruar të ulin pagat, ndërsa shumë prej tyre janë nën presion të vazhdueshëm politik.

“Gjërat do të jenë të vështira për gazetarët”, ka thënë Tom Gibson, shef i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve në Bruksel. Ai ka shtuar se tani roli i gazetarëve është vendimtar në formimin e informacioneve të besueshme. Gibsoni ka thënë se elemente të ndryshme kanë vështirësuar jetën në gazetari, duke filluar nga dobësimi i ekonomisë, puna në kushte izolimi dhe në disa raste, si Hungaria, në sulme të vazhdueshme nga zyrtarët, shkruan KOHA.

“Ata kanë një rol të madh si mbikëqyrës, duke u ofruar qytetarëve informacione apo duke u bërë presion qeverive sa i përket transparencës së masave dhe angazhimeve që kanë”, ka shtuar Gibsoni.

Modeli danez

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se tani është shumë e rëndësishme që gazetarët ta kryejnë punën e tyre lirshëm dhe me precizitet. Sipas saj, kështu mund t’i bënin ballë keqinformimit dhe sigurisë se qytetarët kanë qasje në informacionet më të rëndësishme. Në praktikë pandemia ka krijuar sfida për një model tashmë të dobët ekonomik, në të cilin gazetat kanë filluar të largohen nga reklamat tradicionale tek ato me të hyra në bazë të abonimeve. Mirëpo ky kalim ka qenë shumë i ngadalshëm.

Qeveria e Danimarkës të mërkurën ka diskutuar për mundësinë e ofrimit të 24 milionë eurove për shpëtimin e mediave vendore.

“Me këtë skemë mund të kompensohen për humbjet nga të hyrat e reklamave. Kemi media private, pjesë e demokracisë, që po humbin ndjeshëm. Është rrezik që mund të kalojë përtej demokracisë dhe bisedave tona të zakonshme”, ka thënë ministri danez i Kulturës.

Gjatë pandemisë, gazetat kanë fituar lexues të rinj në numrat digjitalë. Edhe pse Organizata Botërore ka thënë se gazetat janë të sigurta, publikuesit kanë dështuar të fitojnë nga shitja dhe reklamat. Prestigjiozja “The Guardian” ka raportuar se gazetat britanike do të humbin 57 milionë euro, nëse kriza zgjat së paku edhe tre muaj. Sa u përket të hyrave digjitale, reklamuesit po refuzojnë t’i vendosin reklamat e tyre afër shkrimeve për pandeminë, duke thënë se është përmbajtje jo e duhur.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”. Klikoni këtu për t’u regjistruar.