Botë

Historiku i përhapjes së koronavirusit në botë

Foto: BBC

Koronavirusi – një infeksion që po lëviz shpejt e me origjinë nga Kina – është shpërndarë në më shumë se 110 shtete dhe ka marrë jetën e më shumë se 5000 personave.

Përderisa shumica e rasteve është në Kinë, virusi tani po shpërndahet më shpejtë jashtë shtetit. Italia, deri tash, ka numrin më të madh të rasteve të konfirmuara, jashtë Kinës.

1. Pandemi

Rritja e rasteve të përditshme e koronavirusit COVID-10 ka bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë të deklarojë shpërndarjen globale – pandemi.

Kjo është kur një infeksion kalon shpejt nga njëri person te tjetri në shumë pjesë të botës në të njëjtën kohë.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka thënë se jashtë Kinës, numri i rasteve me virus është rritur 13-fish në dy javë.

Më shumë se 80 mijë njerëz në Kinë janë diagnostikuar me koronavirus që kur shpërtheu në Wuhan, në dhjetor.

Por tani janë më shumë se 50 mijë raste të konfirmuara jashtë shtetit, sipas të dhënave të fundit të OBSH-së.

Gjithsesi, numri i njerëzve me koronavirus besohet të jetë edhe më i madh – pasi shumë prej njerëzve me simptoma të lehta s’janë testuar fare.

Pas Kinës – Italia, Irani e Koreja e Jugut kanë numrin më të madh të rasteve me 17 mijë, 11 mijë e 8000 respektivisht secila.

Si përgjigje ndaj shpërndarjes së virusit, shumë shtete në botë kanë ndërmarrë masa të rrepta. Qeveritë kanë ndaluar fluturimet, kanë izoluar vendin e kanë kërkuar nga qytetarët të rrinë në shtëpi teksa kanë pezulluar ngjarjet sportive e grumbullimet.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të enjten njoftoi se do të ndalojë fluturimet nga 26 shtete të Evropës. Masat vlejnë për shtetet e Schengenit.

2. Italia ka numrin më të madh të rasteve të shënuara jashtë Kinës

Që nga 13 marsi, Italia ka shënuar numrin më të madh të rasteve jashtë Kinës, duke tejkaluar Korenë e Jugut dhe Iranin. Ajo tani ka më shumë se 17500 raste me infeksion e më shumë se 1200 të vdekur.

Autoritetet kanë mbyllur të gjitha dyqanet, kafeteritë, restaurantet deri më 25 mars.

Shkollat, palestrat, muzetë, klubet e natës dhe të gjitha vendgrumbullimet tjera janë mbyllur dhe njerëzit janë urdhërua të qëndrojnë nëpër shtëpi.

3. Numri i rasteve në Evropë po rritet

Numri i rasteve në vendet tjera të Evropës po ashtu është rritur në javën e fundit.

Franca, Spanja e Gjermania kanë shënuar secila nga më shumë se 3000 raste.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur shqetësimin se deri në 70 për qind e popullatës – rreth 58 milionë njerëz – mund të infektohet.

Gjithsesi, disa mjekë gjermanë kanë mohuar këtë duke sugjeruar se në rastin më të keq numri mund të arrijë në 40 mijë.

Në Spanjë, emergjenca shtetërore ka hyrë në fuqi të shtunën pas rritjes së numrit të vdekjeve – mbi 130. Kryeministri Pedro Sanchez ka thënë se numri i rasteve mund të tejkalojë 10 mijëshin javën e arhdshme.

Në Britani të Madhe, numri është nën 1000.

Të premten, Kosova shënoi dy rastet e para. Menjëherë Qeveria vendosi të mbyllë kufijtë dhe të vendosë në Karantinë Klinën dhe Vitinë.

4. Kina mbetet me numrin më të madh të rasteve

Numri i rasteve me koronavirus në Kinë është rritur që nga janari, por është qetësuar së fundmi.

Shteti ka 80 mijë e 900 njerëz nga 140 mijë rastet në botë – dhe dhjetëra mijëra qytetarë kinezë janë nën mbikëqyrje mjekësore.

Zyrtarë shtetërorë kanë ndërmarrë masa të menjëhershme duke mbyllur shkollat e duke izoluar disa qytete të mëdha.

Shteti po ashtu ka ndaluar disa udhëtime nga disa vene të botës.

Origjina e koronavirusit lidhet me tregjet e kafshëve në Wuhan, kryeqytetin e provincës Hubei, ku ka shpërthyer fillimisht virusi. Burimi i saktë ende s’është identifikuar.