Botë

Në Turqi janë shkarkuar mbi 4 mijë gjyqtarë e prokurorë

Më shumë se 4 mijë gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar në Turqi pas grushtit të dështuar të shtetit në muajin korrik dhe i gjithë personeli i trupës gjyqësore i është nënshtruar hetimit për të përcaktuar lidhjet e mundshme me puçistët, njoftoi të premten Ministria turke e Drejtësisë.

“Më shumë se 4 mijë gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar për shkak të lidhjeve të tyre me rrjetet guleniste. Nuk ka asnjë gjyqtar apo prokuror që nuk i është nënshtruar hetimit”, tha ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag.

Qeveria turke ka ndërmarrë dënime të pazakonta pas përpjekjes për grusht-shteti më 15 korrik, atribuuar Fetullah Gulenit, një predikues i vendosur në SHBA dhe që Ankaraja e akuzon për infiltrim të institucioneve turke me ndihmën e një rrjeti të gjerë besimtarësh.

Gulen ka mohuar akuzat për përfshirje në puçin e dështuar të shtetit.