Botë

Arrestohen tre anëtarë mbretërorë të Arabisë Saudite

Mohammed bin Salman. Foto: Reuters

Arabia Saudite ka ndaluar tre princa të lartë sauditë, përfshirë Princin Ahmed bin Abdulaziz, vëllai më i ri i Mbretit Salman dhe Princin Mohammed bin Nayef, nipi i mbretit, nën pretendimin se kanë planifikuar grusht-shtet, ka thënë për Reutersin një burim i afërt me zhvillimet.

Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, i biri i Mbretit Salman dhe de fakto sunduesi i vendit, që është eksportuesi më i madh i naftës në botë dhe aleat kyç i SHBA-së, ka marrë nën kontroll pushtetin pas rrëzimit të Mohammed bin Nayef nga froni më 2017 pas një grusht-shteti në Pallatin Mbretëror.

Katër burime i kanë thënë Reutersit se Princi Ahmed dhe Mohammed bin Nayef u ndaluan në operacionin e fundit anti-korrupsion. Dy burime tjera, përfshirë një rajonale, thanë se Mohammed bin Nayef dhe gjysmë vëllai i tij, Nawaf, u ndaluan derisa ishin në një kamp privat në shkretëtirë të premten, transmeton KOHA.

Princi i Kurorës Mohammed, të cilit i referohen edhe si MbS, “ka akuzuar ata (princat) për zhvillim të kontakteve me fuqi të huaja, përfshirë amerikanë dhe të tjerë, për të zhvilluar një grusht-shteti”, ka thënë burimi rajonal.

“Me këto arrestime, MbS ka konsoliduar pushtetin e plotë. Me këtë aksionin e fundit mori fund”, tha burimi, duke lënë të kuptohet se asnjë rival s’i ka mbetur për ta sfiduar qëndrimin e tij në fron.

Një burim tjetër ka thënë se princat u arrestuan për “tradhti”.

Zyra për media e qeverisë saudite nuk u është përgjigjur kërkesave të Reutersit për koment rreth ndalimeve, të cilat fillimisht u raportuan nga “The Wall Street Journal”.

Burimi rajonal ka thënë se Mbreti Salman kishte thënë miratimin për ndalimet e fundit. “Mbreti tha lejen për arrestimet”, tha burimi, duke shtuar se mbreti është në gjendje të mirë mendore dhe fizike.