Botë

Joe Biden del në krye, ndërsa gara e Demokratëve po kthehet në duel

Foto: Reuters (Bernie Sanders dhe Joe Biden)

Mbaroi e Marta e Madhe dhe të gjithë kandidatët e rëndësishëm u tërhoqën nga gara përveç demokratit socialist Bernie Sanders. E Marta e Madhe e marsit në vitin e zgjedhjeve presidenciale është dita më e rëndësishme e zgjedhjeve brendapartiake paraprake për të caktuar kandidatin e secilës parti të madhe kombëtare amerikane. Këtë vit, kjo ditë që amerikanët e quajnë “SuperTuesday”, përmbysi raportet në garën brenda Partisë Demokrate. Ish-zëvendës-presidenti Joseph Biden, i cili vetëm pak javë më parë dukej se dilte nga gara, shokoi opinionin politik duke fituar 10 nga 15 shtetet dhe territoret që votuan më 3 mars.

Numërimi i votave dhe llogaritja e delegatëve për në Konventën Kombëtare ende vijon, por në të Martën e Madhe, deri tani Joe Biden ka marrë më shumë se 4.5 milionë vota dhe 380 delegatë. Senatori Bernie Sanders nga Vermonti që fitoi në vetëm katër shtete, nga të cilat një ishte Vermonti, ku banon, ka marrë më shumë se 3.7 milionë vota dhe 328 delegatë. Diferenca është e madhe dhe Biden është fituesi i padiskutueshëm i ditës. E vetmja arsye se pse Biden nuk është shumë më përpara, është se Sanders fitoi në California që ka numrin më të madh të demokratëve dhe delegatëve për në Konventën Kombëtare.

Ja rezultatet e deritanishme nga E Marta e Madhe

Joseph R. Biden Jr. 4,571,394 vota (380 delegatë) 433

Bernie Sanders 3,745,823 vota (328 delegatë) 388

Elizabeth Warren 1,680,758 vota (28 delegatë) 36

Michael R. Bloomberg 1,711,494 vota (12 delegatë) 12

Tulsi Gabbard 84,723 vota (1 delegat) 1

Në garën e përgjithshme të delegatëve për në Konventën Kombëtare, ku do të zgjidhet kandidati për president i Partisë Demokrate, rezultati është si më poshtë:

Biden 433

Sanders 388

Warren 36

Buttigieg 32

Bloomberg 12

Klobuchar 7

Gabbard 1

Të gjithë kandidatët e tjerë përveç simpatizantes së diktatorit sirian Al-Assad, kongresistes Tulsi Gabbard kanë dalë nga gara. Kjo fundit nuk dihet pse vijon po është akuzuar disa herë se qendrimet e saj rastisin pak si shumë me pikëpamjet e Kremlinit. Ajo e ka hedhur poshtë këtë akuzë. Rezultati i votimit të 3 marsit është mirëpritur nga bursa ku pas shumë ditë rëniesh prej lajmeve të koronavirusit ka pasur ngritje. Një faktor i fortë ka qenë padyshim besimi te Joe Biden si një udhëheqës i matur, i besueshëm dhe pa ekstremizma, mirëpo edhe e gërshetuar kjo me çlirimin që humbi Sanders, i cili ka krijuar nervozizëm me planet e tij për shndërrim rrënjësor të sistemit në SHBA, ku në qendër të sulmeve janë miliardierët dhe biznesi i madh.

Gara sigurisht është larg fundit. Duhen së paku 1991 delegatë për të fituar shumicën thjeshtë në Konventën Kombëtare. Biden që kryeson ka vetëm 433. Asgjë nuk është e sigurtë. Të martën u votua për një të tretën e delegatëve. Në 10 mars do të votohet përsëri në një numër shtetesh përfshi edhe në Michigan.

Kthesa e madhe filloi në South Carolina

Mund të thuhet se Karolina e Jugut e riktheu në jetë kandidatin Biden. Pas rezultateve aspak bindëse në Iowa, New Hampshire dhe Nevada. Biden po shihej si një yll në shuarje. Kryebashkiaku Buttigieg dhe Senatorja Amy Klobuchar ishin dy të rinj të qendrës që filluan të ngrihen në kurriz t ëish-zv-presidentit. Ish-kryebashkiaku njujorkez, multimiliardieri Michael Bloomberg kërceu në garë duke shpenzuar gati gjysëm milliard dollarë për të ndaluar një fitore nga Bernie Sanders. “Revolucioni ynë”, lëvizja e miliona të rinjve në SHBA që janë frymëzuar nga Bernie Sanders që dëshiron një plan sigurimi shëndetësor për të gjithë dhe luftë të hapur ndaj milionerëve dhe miliardierëve, mbizotëronte sferën e debateve publike.

Mirëpo, Karolina e Jugut, me popullsinë e saj të madhe afrikano-amerikane, me rrjetet e kishave që kanë një ndikim të jashtëzakonshëm politik, me historinë e saj të veçantë zgjedhore, përmbysi modelin. Ja renditja pas votimeve aty, sipas numrit të votave dhe përqindjes përkatëse.

Joseph R. Biden Jr. 261,897 (48.7%)

Bernie Sanders 106,342 (19.8%)

Tom Steyer 61,048 (11.3%)

Pete Buttigieg 44,139 (8.2%)

Elizabeth Warren 38,034 (7.1%)

Amy Klobuchar 16,877 (3.1%)

Tulsi Gabbard 6,794 (1.3%)

Ky rezultat ndikoi garën si asgjë tjetër. Dy kandidatët nga zemra gjeografike e Amerikës, Buttigieg dhe Klobuchar u tërhoqën nga gara. Së bashku me një kandidat tjetër të tërhequr më parë, Beto O’Rourke nga Texas, ata iu bashkuan që të tre në një miting të përbashkët fushate ish-zv-presidentit Joe Biden. Ky bashkim forcash ishte domethënës dhe ndihmoi shumë përpara zgjedhje të të Martës së Madhe. Biden fitoi në Minnesota, shteti nga vjen Amy Klobuchar dhe në Texas prej Beto O’Rourke.

Pete Buttigieg (Pit Butixhixh), kryebashkiaku nga South Bend, Indiana, vetëm 38 vjeç, do të ishte bërë presidenti më ri në historinë e Amerikës po të kishte fituar. Ai bëri gjithësesi histori, si kandidati i parë LGBT për president. I martuar me një burrë, por besimtar i vendosur i krishterë, ai shihej gjithësesi si një kandidat i krahut të moderuar për të mos thënë konservator. Ashtu si shumë afrikano-amerikanë me Senatorin e atëhershëm Barack Obama edhe shumë grupe LGBT ishin shprehur kundër tij në këtë garë.

Buttigieg është një veteran i luftës në Irak, që flet shumë gjuhë të huaja, dhe u tregua një talent i jashtëzakonshëm në mbledhje fondesh. Po ai vuajti nga kundërshtime të forta në komunitetin afrikano-amerikan në vend. Ai fitoi votimin e parë në Ioëa (ndonëse votat po rinumërohen, se Sanders është shumë afër në vend të dytë dhe nuk e pranon rezultatin.) Mirëpo, në South Carolina, ai doli në vend të katërt e në Nevada në vend të tretë. Me vetëm 3% të votës afrikano-amerikane në South Carolina, Buttigieg duket se e ka humbur përfundimisht besimin. Duke pasur parasysh numrin shumë të madh të votuesve LGBT (rreth 10% në Të Martën e Madhe), nuk është çudi që Buttigieg të ketë ndihmuar gjithashtu shumë në këtë fitore nga Biden. Pas Karolinës së Jugut doli nga gara edhe miliardieri Steyer.

Elizabeth Warren, më fund del nga gara – a do të bashkohet e majta?

Një nga “viktimat” e Të Martës së Madhe ishte fushata presidenciale e ish-kryebashkiakut Bloomberg. Ai mori më shumë se një milion vota, po askund afër fitores. Me fitoret nga Biden, ai humbi edhe një nga dy arsyet kryesore publike se pse po kandidonte: për të ndalur Sandersin. (Tjetra, për të rrëzuar Presidentin Trump, mbetet në fuqi.)

Bloomberg u tërhoq nga gara dhe deklaroi mbështetjen e tij për Joe Biden. Ky akt, shtoi presionin mbi Senatoren Elizabeth Waren, nga përkrahësit e Bernie Sanders. E gjithë e partia klasike ishte bashkuar me Joe Biden, kurse e majta rebele nuk po bashkohej. Pse nuk tërhiqej Warren në favor të Sandersit?

Disa e kanë akuzuar drejtpërdrejt Senatoren Amerikane nga Massachusetts për humbjet e Sandersit, duke pretenduar se po të ishte tërhequr si “Pete dhe Amy”, bashkimi i votave do të kishte nxjerrë Sandersin fitues në 3 mars. Në fakt, Warren doli shumë dobët edhe në shtetin e saj në Massachusetts ku përfundoi në vend të tretë, pas Biden dhe Sanders. Shumë është folur për vështirësitë që ka një grua në garat politike. SHBA ende nuk ka pasur një grua president gjatë gjithë historisë së saj gati çerekshekullore. Mirëpo, në Massachusetts, në shtëpinë e saj, nga ku ka dalë si Senatore, Warren mori mes demokrateve dhe vetëm 10% të votave nga gratë demokrate. As në shtetin e saj nuk e shihnin si përfaqësuese të tyre. Ishte një goditje e rëndë.

Duke u tërhequr nga gara, ajo tha se një grua që kandidon në politikë përballet gjithnjë me pyetjen nëse ka seksizëm. Nëse thotë po, e kritikojnë se po ankohet e po gjen justifikime. Nëse thotë jo atëhere e akuzojnë se po injoron përvojën e miliona grave të tjera në vend. Warren doli më në fund nga gara për gëzimin e mbështetësve të Sandersin, po gëzimi i tyre mund të jetë i nxituar. Warren e ka akuzuar Sandersin se i ka thënë që të mos kandidojë se një grua nuk fiton dot në SHBA. Sanders e ka mohuar. Shumë mbështetës të saj janë ankuar se janë keqtrajtuar e bezdisur nga arroganca e mbështetsve të Sandersit.

Në fakt, nga një anë mbështetësit e Sandersit kanë kërkuar daljen nga gara të Warren dhe bashkimin e të majtës progresiste e nga ana tjetër e kanë akuzuar rregullisht se Warren në fakt nuk është progresiste. Kjo luftë në të majtën amerikane mund të çojë në ndarjen e mbështetësve të Senatores Warren mes Biden dhe Sanders. Mbetet për t’u parë po në deklaratën e saj të parë, ajo tha se nuk do të mbështesë askënd për momentin.

Sanders, revolucionar apo ektremist në delir

Bernie Sanders akuzohet për socialist e komunist, mirëpo ajo çfarë kërkon ai nuk është shumë e skajshme nëse e krahason me shumë vende të tjera të botës, përfshi edhe vende thellësisht kapitaliste si Mbretëria e Bashkuar. Amerikanët ende nuk kanë gjetur zgjidhje serioze afatgjatë për sigurimin shëndetësor. Ekonomia globale vazhdon të shkaktojë pasoja të rënda sociale në vend. Pabarazia në shoqëri nuk ka qenë kurrë më e madhe në histori. 1% e popullsisë zotëron 40% të pasurisë së vendit. Kurse një vend pune nuk garanton më mbijetesën.

Shumë nga kërkesat e Sandersit, por edhe të Senatores Warren, nuk janë shumë të skajshme. Problemi më i madh është me shpjegimin se si do të realizohen ato. Ka dyshime se planet janë shumë më kushtueshme dhe se nuk do të kenë kurrë vota të mjaftueshme në Kongres për t’u bërë realitet.Në këtë prizëm, Joe Biden është më i besueshëm se mund të sjellë ndryshime sesa Sanders. SHBA është një vend ku ndryshimet vijnë gjithmonë në mënyrë të përshkallëzuar sesa me revolucione dhe shndërrime drastike.

Sanders ka një mbështetje shumë të madhe te rinia. Mirëpo, në të martën e 3 marsit, rinia nuk u shfaq në votime. Sipas anketimeve (një prej të cilëve vijon këtu) tregon se të rinjtë ishin grupmosha me pjesëmarrjen më të vogël. Sipas anketimit të kanalit televiziv (NBC), përqindja e votimit, në të Martën e Madhe, sipas grupmoshave:

18-29: 13%

30-44: 23%

45-64: 35%

65+: 29%

Nga kjo del se më shumë se refuzimi nga Warren për të dalë nga gara para kohe ka qenë mbështetja dhe besimi i tepruar te rinia për të sjellë ndryshime që do të ndihkojnë në të gjithë shoqërinë. Sanders ka shumë kundërshtarë në Partinë Demokrate. Ai vetë ka dalë nga partia, është vetëshpallur i pavarur, socialist, pastaj është rikthyer. Në Senatin Amerikan jo të gjithë demokratët kanë shkuar mirë me të. Në 2016, refuzonte të dilte nga gara ndonëse ishte e qartë aritmetikisht se nuk do të fitonte dot kundër Hillary Clinton. Edhe tani sulmon “establishmentin” e Partisë Demokrate, në një kohë kur për të fituar në nëntor ndaj Presidentin Donald Trump, duhet bashkim i të gjithë faktorëve. Biden duke mbledhur mbështetjen e shumë ish kandidatëve dëshmoi për aftësitë e tij për të shërbyer si bashkues i partisë dhe i një fronti të pavarurish e republikanësh. Sanders dhe shumë mbështetës të tij me retorikën e ashpër dyshohet se nuk munden.

Presidenti Donald Trump i sigurt si kandidat i Republikanëve

Nuk ka shumë për të thënë nga ana e Partisë Republikane. Rrallë sfidohen seriozisht presidentët në fuqi. Dy-tre kandidatë nga Partia Republikane pothuajse nuk janë dëgjuar fare. Fushatat e tyre janë injoruar dhe zyrtarët e ligjvënësit republikanë janë munduar që të mos bien në sy të Presidentit Trump negativisht. Presidenti Trump nuk e merr lehtësisht kundërshtimin nga republikanët, të cilët nuk ngurron t’i sulmojë publikisht nëse nuk janë në një vijë me të. Shumë senator kryesorë që e kanë kritikuar madje edhe fyer publikisht në 2016, sot nuk e kritikojnë më.

Megjithëse ishte po aq i jashtëm sa Bernie Sanders, madje më shumë, në 2016, ish-demokrati, i jetës sociale liberale nga Manhattan, është bërë sot udhëheqës i padiskutueshëm i Partisë Republikane Amerikane. Pasi i mbijetoi pa problem një procesi shkarkimi nëpërmjet gjykimit në Senat, Donald Trump sheh me optimizëm nga nëntori, ndonëse nga postimet në rrjetin social Tuitër duket se preferon të përplaset me “socialistin” Sanders, të cilin shpesh e cilëson si “Crazy Bernie”, Bernie i çmendur. Joe Biden është shprehur disa herë se cilido nga kandidatët demokratë që do të fitojë është në gjendje që ta mposhtë Presidentin Trump. Mirëpo, votimet e fundit tregojnë se gjithnjë e më shumë Demokratë mendojnse vetëm Joe Biden mund ta bëjë/Illyria.