Botë

Putini takon Erdoganin në kërkim të armëpushimit në Siri

Descriptive Text

Presidenti rus Vladimir Putin, priti të enjten në Moskë, homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, në përpjekje për të arritur një armëpushim të mundshëm në veri të Sirisë.

Putin i shprehu Erdoganit ngushëllime për vrasjen e ushtarëve turq në Idlib të Sirisë, ditë më parë.

President rus tha se situata në provincën Idlib, ku ushtritë e dy vendeve po ballafaqohen me një luftë që ka shpërngulur rreth një milion njerëz në tre muaj, ishte tensionuar aq shumë sa kërkonte bisedime kokë më kokë, raporton Voa.

Erdogan tha se shpresonte që pas takimit, i cili ishte nxitur prej Putinit, të arrihej një pajtim rreth masave për të lehtësuar konfliktin.

Një zyrtar i lart turk i tha agjencisë Reuters se dy udhëheqësit ka gjasa që të bien dakord për armëpushim, pas dështimit prej javësh të përpjekjeve diplomatike për të ndaluar luftimet mes Turqisë dhe aleatëve të saj rebelë sirianë kundër forcave të qeverisë siriane të mbështetura nga Rusia.

"Diplomacia politike do të jetë më përcaktuese sot sesa diplomacia ushtarake", tha zyrtari në kushte anonimiteti.

Sulmet ajrore ruse bënë që forcat siriane të presidentit Bashar al-Assad të rimarrin territorin e fundit nën kontrollin rebelëve në veriperëndim të vendit.

Kombet e Bashkuara thonë se në Siri është shkaktuar kriza më e rëndë humanitare gjatë 9 viteve luftë, e cila ka detyruar miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre si dhe ka shkaktuar vrasjen e qindra mijëra të tjerëve.