Botë

Greqia miraton ligjin për ndërtimin e xhamisë në Athinë

Të gjitha partitë e Parlamentit grek, përveç Agimit të Artë, por dhe partisë së vogël të koalicionit qeveritar "Grekët e Pavarur", kanë votuar pro nenit 5 të projekligjit për reformat në arsim, i cili i jep dritën jeshile ndërtimit me fonde shtetërore dhe funksionimit të xhamisë së parë në kryeqytetin grek.

Për nenin në fjalë ka pasur diskutime deri në mbrëmjen e së enjtes, sidomos pas rezervave të shprehura nga deputetë konservatorë dhe nga kreu i Demokracisë së Re, për mënyrën e financimit, transmeton TCH.

Përmirësimi i legjislacionit është pranuar edhe nga vetë ministri i Arsimit dhe është vendosur që një komision shtetëror të ketë kontroll të plotë mbi burimet financuese nga jashtë Greqisë.

Vendi i planifikuar për krijimin e xhamisë është një bazë e vjetër detare në Votanikos, një lagje industriale, e rrënuar, në perëndim të Athinës, kryeqyteti i vetëm në Europë që nuk kishte një objekt kulti për më shumë se 500 mijë myslimanë që jetojnë atje, kryesisht emigrantë nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme.

Athina nuk ka pasur një xhami qysh prej vitit 1832, pasi Greqia fitoi pavarësinë nga perandoria Osmane. Kërkesa për ndërtimin e një kulti mysliman është bërë për herë të parë në vitin 1940, ndërsa në parlament u deshën me shumë se dhjetë vite që të zgjidheshin çështjet administrative që pengonin ndërtimin e tij.

Pavarsisht se në xhaminë e re mund të futen dhe të kryejnë ritet vetëm 350 vetë dhe arkitektura e saj do të jetë pa minare, ndërtimi I saj konsiderohet një fakt historik për një vend si Greqia me 90% të popullsisë, të krishterë ortodoksë, ku përveç Kishës dhe qarqeve politike, edhe opinioni publik nuk ka qenë tepër pozitiv për funskionimin e saj.