Botë

Vdes ish-presidenti i Egjiptit, Mubarak

Ish-presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, ka vdekur të martën në moshën 91-vjeçare, kanë njoftuar mediat e huaja.

Ai tash e shumë kohë ishte i sëmurë.

Mubarak ishte president për gati 30 vjet. U largua nga pushteti më 2011, pas Revolucionit Popullor në këtë vend.

Më 24 maj 2011, Mubarak dhe djemtë e tij, Alaa dhe Gamal, dolën para gjykatës me akuzat për vrasje të protestuesve dhe për korrupsion.

Më 19 gusht 2013, Mubarak u lirua nga një prej akuzave për korrupsion dhe dy ditë më vonë, gjykata urdhëroi lirimin e tij nga burgu.

Para se të bëhej president, Mubarak ishte komandant i Forcave Ajrore të Egjiptit (1972-1975).

Mubarak mori presidencën pas vrasjes së ish-presidentit Anwar Sadat.