Botë

The Guardian: Çfarë është koronavirusi dhe çfarë duhet të bëjmë nëse kemi simptome?

Foto: Reuters

E përditshmja britanike “The Guardian” ka mbledhur disa prej pyetjeve më të shpeshta lidhur me virusin që po përhapet nëpër botë, krahas përgjigjeve rreth tyre.

Çfarë është Covid-19, sëmundja që nisi në Wuhan?

Covid-19 është sëmundje e shkaktuar prej virusit nga familja e koronavirusëve, por që i ka tiparet e veta të cilat nuk janë hasur më parë. Ngjashëm si koronavirusët tjerë, prejardhjen e ka prej kafshëve. Shumica e rasteve të para me këtë virus ose kanë punuar, ose kanë kryer blerjet në tregun e ushqimeve të detit, në qendër të qytetit kinez Wuhan.

Cilat janë simptomet që shkaktohen prej këtij koronavirusi?

Virusi mund të shkaktojë pneumoni. Simptomet tek të sëmurët kanë qenë kollitja, ethet dhe vështirësitë në frymëmarrje. Pasi që fjala është për pneumoni virale, antibiotikët nuk kryejnë punë. Barnat anti-virale, në dispozicion kundër gripeve, nuk janë treguar efektive. Shërimi varet prej imunitetit. Shumica e të vdekurve kanë qenë shëndetligë.

A po bartet virusi prej një personi tek tjetri?

Komisioni shtetëror kinez i Shëndetësisë e ka konfirmuar bartjen midis njerëzve dhe raste të tilla kanë konfirmuar edhe në shtete tjera.

Sa njerëz janë prekur nga koronavirusi?

Deri më 22 shkurt, Kina ka regjistruar 2,345 raste të vdekjes nga epidemia e Covid-19. Zyrtarët shëndetësorë i kanë konfirmuar 76,288 raste në pjesën kontinentale të Kinës. Më shumë se 12,000 raste janë shëruar në tërësi. Koronavirusi është përhapur në së paku 28 shtete tjera. Japonia i ka 607 raste, përfshirë 542 raste prej një anijeje të ankoruar në Yokohama, derisa janë regjistruar tri vdekje. Raste të vdekjes ka pasur edhe në Hong Kong, Tajvan, Francë, Iran dhe Filipine.

Përse është më i rëndë sesa gripi i zakonshëm dhe sa të shqetësuar janë ekspertët?

Ende nuk dihet se sa i rrezikshëm është koronavirusi i ri dhe një gjë e tillë nuk do të merret vesh deri në plotësimin e të dhënave. Norma e vdekshmërisë është rreth dy për qind në vatrën e epidemisë, provincën Hubei, por jo edhe në shtetet tjera, në të cilat është përhapur. Sa për krahasim, gripi sezonal zakonisht ka normë mortaliteti nën një për qind dhe mendohet se i shkakton rreth 400,000 vdekje për çdo vit në botë. Sars e ka pasur normën e mortalitetit dhjetë për qind. Një e panjohur tjetër ka të bëjë me atë se sa infektues është koronavirusi i ri. Teksa për gripin ka vaksina, për koronavirusin e ri nuk është shpikur një vaksinë e tillë, gjë që nënkupton se të moshuarit apo ata me probleme me imunitet e kanë të vështirë të mbrohen. Larja e duarve dhe shmangia e personave tjerë nëse nuk ndjeheni mirë, janë të rëndësishme.

A paraqet pandemi përhapja e sëmundjes?

Pandemia, sipas OBSH-së është “përhapje mbarëbotërore e një sëmundjeje”. Raste të koronavirusit janë konfirmuar jashtë Kinës, por jo në të 195 shtetet në listën e OBSH-së. Deri më tani, shumica e rasteve janë udhëtarë që janë infektuar me virus në Kinë.

A ka vend për panik?

Jo. Përhapja e virusit jashtë Kinës është shqetësuese, por jo edhe zhvillim i papritur. Çështjet kryesore kanë të bëjnë me bartjen e këtij virusi midis njerëzve. Shpesh viruset që përhapen lehtë kanë më pak ndikim. Në përgjithësi, koronavirusi duk se po i prek më së shumti më të moshuarit, me raste të pakta tek fëmijët.