Botë

Më 17 mars kryeministri izraelit, Netanyahu, në gjyq për korrupsion

Descriptive Text

Ministria e Drejtësisë në Izrael bën me dije se procesi gjyqësor ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu, në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij për korrupsion, do të nisë më 17 mars, dy javë pas zgjedhjeve të treta të përgjithshme që zhvillohen brenda vitit.

Netanyahu, i cili është i pari kryeministër në detyrë që akuzohet për një vepër penale, ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij për korrupsion.

Përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Drejtësisë i kërkoi kryeministrit Netanyahu që të paraqitet në seancën e parë gjyqësore që do të mbahet ndaj tij në Gjykatën e Distriktit të Jeruzalemit, që do të mbahet më 17 mars. Paneli është i përbërë nga tre gjyqtarë.

70 vjeçari Netanyahu, i cili konsiderohet si kryeministri më jetëgjatë në Izrael, akuzohet se ka pranuar në mënyrë të paligjshme dhurata me vlerë 264 mijë dollarë nga sipërmarrës, si dhe ka favorizuar disa media të njohura në vend për të përmirësuar imazhin e tij.

Ai rrezikon të dënohet me 10 vjet burg nëse shpallet fajtor për marrje ryshfeti dhe 3 vjet nëse i vërtetohen akuzat për mashtrim.