Botë

Turqia e arreston aktivistin Kavalla vetëm disa orë pas lirimit

Një filantrop i njohur turk, aktivist i zëshëm i shoqërisë civile në këtë shtet, është arrestuar sërish, vetëm disa orë pas lirimit të tij nga akuzat për tentim të rrëzimit të qeverisë, raportojnë mediet turke.

Një gjykatë në Turqi të marten kishte vendosur për lirimin e menjëhershëm të Osman Kavallës, pasi që ishin hedhur poshtë akuzat ndaj tij dhe tetë tjerëve në të ashtuquajturin proces i parkut Gezi.

Lexo edhe: Një kthesë e papritur: Gjykata turke e shpall të pafajshëm filantropin Osman Kavalla

Kavalla mbahej në paraburgim që nga nëntori i vitit 2017.

Sidoqoftë, disa orë më pas, autoritetet turke kanë lëshuar fletarrest ndaj tij, rreth tentim-puçit të 2016-tës në këtë shtet, raporton BBC, transmeton Koha.net.

Grupi për mbrojtjen e të drejtave “Amnesty International” ka thënë se ri-arrestimi i Kavallës ka shije “mizorie të qëllimshme dhe të përllogaritur”.

“Të lirohesh pas gati dy vitesh e gjysmë prapa grilave, vetëm për të ta mbyllur para fytyrës derën e lirisë, paraqet goditje shkatërrimtare për Osman Kavallën, familjen e tij dhe ata që janë në mbrojtje të drejtësisë në Turqi”, shkruan në njoftimin e këtij grupi.