Botë

Greqia pezullon ndërtimin e kampeve për refugjatë

Foto: Reuters

Greqia të hënën ka lëshuar pe, pas protestave të banorëve ndaj planeve të qeverisë për ndërtimin e kampeve të reja për refugjatë në ishujt e largët, teksa autoritetet e këtij shteti kanë bërë të ditur se janë të gatshëm për kompromis, lidhur me vendndodhjen e këtyre kampeve.

Qeveria në Athinë kishte mllefosur banorët e pesë ishujve, teksa kishte paralajmëruar gjatë javës së kaluar se do ta përshpejtonte ndërtimin e kampeve të mbyllura për refugjatë, në vend të qendrave të deritanishme, të stërngarkuara. Banorët lokalë e kanë shprehur shqetësimin se marrëveshjet e tilla mund të bëhen të përhershme, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

Qindra banorë të ishujve grekë janë mbledhur në Athinë gjatë javës së kaluar, duke kërkuar që mijëra azilkërkues nëpër ishuj të barten në pjesën kontinentale greke.

Konservatorët kanë marrë qëndrim dukshëm më të ashpër karshi migrimit, krahasuar me pararendësit e tyre të së majtës.

Të hënën, ministri i ri për Migrim, Notis Mitarachi, ka thënë se autoritetet lokale kishin një javë afat për të propozuar vendndodhje alternative për ndërtimin e qendrave të reja të ndalimit.

“Plani pezullohet për një kohë”, i ka thënë Mitarachi guvernatorit rajonal, Kostas Moutzourisit, gjatë një debati të transmetuar në televizionin shtetëror grek.