Botë

Tërmeti politik i radhës në Gjermani: Dorëhiqet shefja e CDU-së Annegret Kramp-Karrenbauer

Pas debaklit në landin e Thüringenit kryetarja e partisë konservatore CDU, Annegret Kramp-Karrenbauer, ka paralajmëruar se nuk do të jetë kandidate për kancelare dhe së shpejti do të dorëzojë postin e shefes së CDU-së.

Dorëheqja e Kramp-Karrenbauer është një disfatë e rëndë për kancelaren Angela Merkel. Kush do të jetë shef i ri i CDU-së? Mes kandidatëve potencialë përmenden dy emra: Armin Laschet dhe Jens Spahn. Të dy kanë nga një histori me Kosovën.

Annegret Kramp-Karrenbauer është dorëzuar. Në mbledhjen e kryesisë së partisë konservatore CDU ajo të hënën ka deklaruar se do të largohet nga funksioni i kryetares dhe nuk do të jetë kandidate për kancelare të Gjermanisë në zgjedhjet e vitit 2021. Kështu njoftojnë shumica e mediave gjermane. Kramp-Karrenbauer e ndërmori këtë hap për shkak të ngjarjeve dramatike në landin e Thüringenit.

Javën e kaluar atje befas u zgjodh kryeministër një kandidat i liberalëve (FDP) - dhe kjo ndodhi me votat e disa deputetëve të CDU-së, të liberalëve dhe të partisë ekstremiste Alternativa për Gjermaninë (AfD). Kryesia e CDU-së ngaherë ka marrë vendim që në asnjë mënyrë nuk mund të ketë bashkëpunim me AfD-në për shkak të stilit të saj politik, i cili pjesërisht mund të quhet neonazist.

Ndërkohë kryeministri i Thüringenit nga radhët e FDP-së është detyruar të largohet. Por Annegret Kramp-Karrenbauer si shefe e CDU-së nuk ka arritur të bind degën e partisë në Thüringen që të distancohet qartë nga AfD dhe të përkrahë zgjedhjet e parakohshme. Autoriteti i Kramp-Karrenbauer është kontestuar nga "guvernatorët" provincialë të CDU-së. Në këto rrethana ajo në mënyrë demonstrative ka vendosur të largohet.

Dorëheqja e Annegret Kramp-Karrenbauer është një tërmet i ri politik në Gjermani, pas tij në Thüringen javën që shkoi. Për shkak të përkrahjes në rritje që po merr AfD, sidomos në Gjermaninë lindore, partitë e etabluara si CDU apo socialdemokratët (SPD) e kanë gjithnjë e më vështirë të krijojnë koalicione, sepse u mungojnë mandatet e domosdoshme.

Në Gjermaninë lindore situata është edhe më e ndërlikuar për shkak se atje në disa lande është mjaft e fuqishme partia DIE LINKE (e majta), e cila është pasardhëse e partisë komuniste gjermanolindore (SED). Me këtë parti CDU-ja konservatore nuk lidhë koalicion.

DIE LINKE nuk pranon ta quajë Gjermaninë komuniste "shtet të padrejtë", siç insiston CDU. Për këtë arsye CDU në Thüringen nuk e votoi kryeministrin e deritanishëm Bodo Ramelow, i cili vjen nga partia DIE LINKE, por i përket krahut të moderuar.

Annegret Kramp-Karrenbauer deklaroi se gjatë verës do të ndërmarrë hapa për të organizuar procesin e kandidaturës për kancelar dhe do të dorëzojë postin e kryetares së CDU-së.

Sipas pjesëmarrësve në mbledhjen e CDU-së në Berlin, të cilëve u referohet "Der Spiegel", Kramp-Karrenbauer ka deklaruar se ajo po largohet për shkak se një pjesë e CDU-së ka një raport të pasqaruar ndaj AfD-së dhe DIE LINKE (të majtës). Kramp-Karrenbauer tha se ajo është kategorikisht kundër bashkëpunimit me AfD-në dhe DIE LINKE. "Der Spiegel" raporton se kancelarja Merkel i është falënderuar Annegret Kramp-Karrenbauer për punën si shefe e CDU-së dhe e ka lutur atë të mbajë postin e ministres. Annegret Kramp-Karrenbauer është ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë.

Kramp-Karrenbauer u zgjodh kryetare e CDU-së në dhjetor 2018, duke u bërë kështu pasardhëse e Angela Merkelit. Në kongresin e mbajtur në Hamburg Kramp-Karrenbauer, atëbotë sekretare e përgjithshme e CDU-së, fitoi kundër Friedrich Merzit, ish-shef i grupit parlamentar të CDU-së, dhe kundër ministrit të Shëndetësisë, Jens Spahn.

Dorëheqja e Annegret Kramp-Karrenbauer është një goditje e rëndë edhe për kancelaren Angela Merkel. Ajo ka dështuar me planin e saj që ta instalojë Kramp-Karrenbauer si pasardhëse dhe trashëgimtare politike.

Për shkak se emri dhe dy mbiemrat e saj janë të gjatë, në parti dhe media Annegret Kramp-Karrenbauer quhet vetëm AKK. Kur ajo u bë ministre e punës, çështjeve sociale, familjes, preventivës dhe sportit në Saarland, krahinën më të vogël gjermane në kufi me Francën, AKK tha se kurrë nuk e kishte menduar se titulli i ministrisë që do të drejtonte do të ishte «më i gjatë se emri im». Më 2011 AKK u zgjodh kryeministre e Saarlandit.

Ajo tërë jetën e saj politike e ka kaluar në radhët e Partisë Kristiandemokrate (CDU), partisë që për gati dy dekada u drejtua nga Angela Merkel, e cila nga viti 2005 është kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë. Pas zgjedhjes në postin e shefes së CDU-së mediat nisën ta quajnë AKK një «Mini-Merkel».

Në Saarland Kramp-Karrenbauer ka qeverisur pa bujë, por në mënyrë efikase – dhe në karneval qe bërë e famshme si pastruese e veshur me pardesy, shami dhe fshesë. Annegret Kramp-Karrenbauer u lind më 9 gusht 1962 në Saarland.

Pas anëtarësimit të CDU si 18-vjeçare, AKK studioi shkencat politike dhe drejtësinë. Kur karriera e saj në politikë filloi të përparonte, burri i saj, një inxhinier minierash, u kujdes për tre djemtë e përbashkët.

Në portretet e botuara në gazetat gjermane AKK dhe Merkel përshkruhen si të ngjashme dhe prapëseprapë të ndryshme. Merkel është rritur në diktaturën e Gjermanisë lindore, AKK në Gjermaninë perëndimore. Megjithatë, që të dyja i bashkon qasja e qetë ndaj problemeve.

Merkel u njoftua me Annegret Kramp-Karrenbauer gjatë negociatave për koalicion me socialdemokratët në vitin 2013. Që nga ajo kohë kancelarja ka respekt për mënyrën e politikëbërëjes nga ana e AKK-së. Ajo ka 17 vjet përvojë punë në poste qeveritare, por në provincë. Në nivelin nacional AKK nuk qe e bekuar nga suksesi.

Gjatë krizës së refugjatëve Kramp-Karrenbauer ishte përkrahëse e Merkelit. Por AKK ishte e qartë sa i përket respektimit të rregullave nga ana e refugjatëve. Në një samit të unionit të grave të CDU-së në janar 2016 ajo tha se, sipas raporteve, ka burra myslimanë, të cilët në qendra te azilit nuk pranojnë të marrin ushqimin nga gratë.

AKK nënvizoi se ka dy mënyra për t’iu përgjigjur kësaj sfide: duke marrë parasysh dallimet kulturore të krijohet një radhë e dytë, ku burrat shërbejnë burrat me ushqim. Ose të thuhet: «Atëherë s’ka ushqim». Kramp-Karrenbauer tha se ajo preferonte variantin e dytë.

Pas paralajmërimit të dorëheqjes së Kramp-Karrenbauer është e paqartë se kush do të jetë shef i ri i CDU-së. Nga emrat që përmenden janë: kryeministri i landit Nordrhein-Westfalen, Armin Laschet, dhe ministri i Shëndetësisë Jens Spahn. Në Nordrhein-Westfalen jeton çdo i katërti gjerman nga 80 milionë banorë sa ka Gjermania. Laschet është anëtar i CDU-së që nga viti 1979 – që nga atëherë ai ka qenë politikan lokal, deputet në parlamentin e Gjermanisë, europarlamentar në Bruksel dhe Strassburg, ministër në landin Nordrhein-Westfalen.

Jens Spahn ka qenë njëri prej kritikëve më të ashpër të Merkelit për shkak të pranimit të refugjatëve më 2015. Në korrik 2017 Spahn i tha gazetës "Die Welt" se kush vjen nga bota arabe në Gjermani në të shumtën e rasteve është i karakterizuar nga "morali i ngathët seksual, nga pabarazia e grave, refuzimi i hebrenjve dhe homoseksualëve".

Spahn është homoseksual dhe i martuar me një gazetar gjerman. Mediat gjermane kanë regjistruar me tone kritike afërsinë e tij me ambasadorin e ri amerikan në Berlin, Richard Grenell. Pas kritikave Spahn i ka reduktuar ekspozimet publike me Grenellin.

Mbetet të shihet nëse kandidaturën do ta shpallë edhe Friedrich Merz, i cili ka qenë shef i grupit parlamentar të CDU-së, por është larguar para shumë vitesh nga politika për shkak të mospajtimeve me Merkelin. Që nga viti 2009 Merz është kryetar i "Atlantik-Brücke" (Ura e Atlantikut), një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 1952, e cila synon forcimin e lidhjeve ekonomike, financiare, arsimore dhe ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Armin Laschet është i njohur për qëndrimet e tij pozitive ndaj Kosovës. Para disa viteve, kur provokatori politik gjerman Thilo Sarrazin shkroi se turqit po e pushtojnë Gjermaninë me natalitet të lartë si kosovarët Kosovën, Laschet reagoi menjëherë.

Në një intervistë për revistën STERN Laschet tha: "Historia e Kosovës është pak më e ndërlikuar. Kjo (çfarë thotë Sarrazin) është mendësia e diktatorit Millosheviq, i cili kështu e ka arsyetuar politikën e tij agresive serbomadhe. Konflikti i Kosovës nuk ka shpërthyer për shkak të natalitetit, por buron nga fjalimi i Millosheviqit në Fushë-Kosovë më 1989.

Me atë fjalim ai e mbuloi Ballkanin me luftë e dëbime". Poashtu, Laschet e ka mbrojtur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Në një intervistë për radion publike gjermane ai ka thënë: "Në konfliktin e Kosovës Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ka qenë i aftë për të marrë vendim dhe megjithatë është vepruar". Laschet e ka dekoruar qytetarin Harald Meurer për themelimin e një organizate, e cila më 1999 ka tubuar para për viktimat e luftës në Kosovë.

Vitin që shkoi kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, është takuar në Berlin me kryeministrin e landit Nordrhein-Westfalen, Armin Laschet. Kandidati tjetër i mundshëm për shef të CDU-së, Jens Spahn, ka vizituar vitin e kaluar Kosovën, ku ka nënshkruar një marrëveshje, e cila parasheh që Gjermania çdo vit të pranojë nga Kosova 1000 infermierë dhe personel tjetër mjekësor.