Botë

Në shumë qytete amerikane është protestuar kundër vendimit të Senatit për Trumpin

Pak orë pasi Senati e shpalli të pafajshëm presidentin Donald Trump, protesta të shumta janë mbajtur nëpër qytetet e mëdha të Shteteve të Bashkuara.

Menjëherë pas votimit në Senat, qindra njerëz u mblodhën jashtë ndërtesës së Kongresit, për të protestuar kundër vendimit të senatorëve dhe bënë thirrje për largimin e Trumpit nga pozita e presidentit.

Biznesmeni i shndërruar në politikan i mbijetoi procesit të tretë të shkarkimit të ndërmarrë ndaj një presidenti në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës - njësoj si dy të tjerët më përpara – në njërin prej kapitujve më të errët të presidencës së tij të turbullt, raporton Reuters.

Trumpi tani është përqendruar te zgjedhjet e 3 nëntorit, të cilat pritet që ta polarizojnë akoma më shumë vendin. Por, vendimi i Senatit për shfajësimin e Trumpit nga dy akuzat për keqpërdorim të pushtetit dhe pengim të Kongresit, nuk ua ka mbushur mendjen protestuesve.

“Vendimi është i turpshëm. Është e qartë se Trumpi ishte fajtor, është e qartë se abuzoi me pushtetin. Krejt është e qartë se është fajtor për të gjitha dhe është dashur të shkarkohej nga pozita”, ka thënë protestuesja Lynne Fagnani.

Protestues kishte edhe në Massachusetts dhe Philadelphia. Shumë prej tyre mbanin mbishkrime “Turp”, “Refuzojeni mbulimin” dhe “Trumpi e Pence duhet të largohen”, transmeton KTV.

Senati votoi me 52 vota për dhe 48 kundër, në favor të shfajësimit të Trumpit nga akuza e parë e keqpërdorimit të detyrës, që lidhej me kërkesën e tij adresuar Ukrainës për nisjen e hetimeve ndaj rivalit politik, Joe Biden, favoriti i Partisë Demokratike për ta sfiduar në zgjedhjet e 2020-s.

Senatori Mitt Romney ishte i vetmi republikan që iu bashkua demokratëve në votën për dënimin e Trumpit. Asnjë demokrat nuk votoi për shfajësimin e tij.

Pas kësaj, Senati kaloi në një tjetër proces votimi. Gjatë tij, 53 ligjvënës votuan për dhe 47 kundër në favor të shfajësimit të presidentit edhe nga akuza e pengimit të hetimeve të Kongresit, në rastin kur ai e bllokoi paraqitjen e dëshmitarëve dhe shpalosjen e dokumenteve të kërkuara nga ligjvënësit.

Po të dënohej për cilëndo prej këtyre akuzave, Trumpi, presidenti i 45-të i ShBA-së, do të duhej që t’ia dorëzonte detyrën nënpresidentit Mike Pence, po ashtu republikan.