Botë

OBSh-ja bën thirrje për moskufizimin e udhëtimeve dhe tregtisë ndërkombëtare

Ditët e fundit, pas shpërthimit të epidemisë së pneumonisë së koronavirusit të ri në Kinë, disa vende kanë marrë një sërë masash për kufizimin e udhëtimeve dhe tregtisë ndërkombëtare, të cilat bien në kundërshtim me rekomandimet e OBSh-së.

Këto masa përfshijnë mospranimin e hyjres së udhëtarëve që kanë qenë në Kinë brenda 14 ditëve të fundit ose të hyrjes së shtetasve kinezë me pasaportë të lëshuar nga provinca Hubei, ndërprerjen e dhënies së vizave, anulimin e fluturimeve etj.

Sekretari i përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh në një mbledhje të Komisionit Ekzekutiv të kësaj organizate të hënën se vendet e ndryshme duhet të marrin masa në bazë të fakteve dhe të arsyes shkencore.

Sipas tij, masat parandaluese janë të nevojshme, por s’ka nevojë për reagim të tepruar. OBSh-ja i përmbahet rekomandimit të mëparshëm për moskufizimin e udhëtimeve e të tregtisë ndërkombëtare.

“Deri tani, nuk ka arsye të merren masa të panevojshme ndërhyrëse në udhëtimet e tregtinë ndërkombëtare. OBSh-ja u bën thirrje vendeve të ndryshme të marrin masa mbi faktet dhe në përputhje me provat. OBSh-ja është e gatshme t’u ofrojë këshilla vendeve që dëshirojnë të marrin masa përkatëse”, tha kreu i OBSh-së.

Zv.përfaqësuesi i Kinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, ambasadori Li Song, u shpreh në mbledhje se bashkësia ndërkombëtare duhet ta shikojë sëmundjen e re me gjaftohtësi e arsye, në mënyrë të paanshme dhe objektive. “Nuk duhet ta trajtojmë (epideminë) në mënyrë të zmadhuar, negative dhe pasive, as të krijojmë panik apo frikë, sepse kjo do të ndikojë rëndë në bashkëpunimin ndërkombëtar në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë”, tha z. Li/Marre nga CRI/