Botë

Të gjithë kundër Trumpit, gara e demokratëve do të fillojë në Iowa

Ngjarja e parë që do t’i japë dritë garës presidenciale në Shtetet e Bashkuara janë zgjedhjet në Iowa. Votuesit demokratë dhe republikanë do të vendosin për të nominuarit e tyre të preferuar për garën në Shtëpinë e Bardhë.

Ani pse fitorja në Iowa nuk garanton nominimin, mund të ndihmojë që fituesit të kenë momentum vendimtar, raporton Reuters.

Për Donald Trumpin, shtegu është i lirë në partinë republikane, por rrugë më e gjatë është për demokratët me 11 kandidatë.

Sondazhet kanë paralajmëruar se Bernie Sanders është favorit në Iowa, por, pas tij, në hije po qëndron Joe Biden, ish-zëvendëspresident gjatë mandatit të Barack Obamas.

Katër vjet pasi humbi garën partiake nga Hillary Clinton, Sandersi ndiqet edhe nga Elizabeth Warren, Amy Globuchar dhe Pete Buttigieg, transmeton KTV.

“Këto zgjedhje janë për dy çështje fondamentale – së pari, janë vendimtare për të ardhmen e këtij shteti që të mposhtim presidentin më të rrezikshëm në historinë tonë moderne. Nuk na duhet një president që kërcënon të na ndajë dhe premtimi im është që të kemi një president që do të bashkojë njerëzit”, ka thënë Sanders.

Zgjedhje do të ketë edhe nga republikanët. Vetëm dy kandidatë kanë guxuar t’i dalin përballë Trumpit, por popullariteti i presidentit do të bëjë që kandidatët të jenë vetëm sa për sy e faqe në këtë garë.

Iowa në shumë raste ka ditur të përcaktojë fituesin e nominimit demokrat, por jep sinjale se çfarë shkoi gabim për këtë parti gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.

Në zgjedhjet e fundit, më shumë se 200 komuna që përkrahnin Obaman në vitin 2012, vendosën që katër vjet më vonë të merrnin anën e Trumpit. 31 nga këto komuna ishin në Iowa.