Botë

Britania shton masat e sigurisë pas sulmit në Mançester

Policia britanike tha se po përparon në ndriçimin e sulmit të së hënës në Mançester, që la pas vetes 22 të vrarë dhe 59 të plagosur.

Policia britanike tha se hetimet rreth sulmit të së hënës në Manchester “janë duke përparuar”, por, siç raporton Zëri i Amerikës, autoritetet ende nuk mund të thonë nëse përgjegjësi për sulmin ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë.

Qeveria britanike rriti shkallën e alarmit nga terrorizmi në shkallën “kritike” që është shkalla më e lartë, që përfshinë vendosjen e ushtarëve për të ruajtur zona të caktuara, përfshirë ngjarjet më të mëdha siç janë koncertet apo ndeshjet e futbollit.

Të martën, policia njoftoi se njeriu që hodhi veten në erë të hënën në përfundim të koncertit të këngëtares Ariana Grande në Mançester të Anglisë është identifikuar si Salman Abedi.

Duke folur për gazetarët të martën pasdite shefi i policisë së Mançesterit Ian Hopkins, identifikoi 22-vjeçarin Abedi si autor të dyshuar për sulmin, por nuk dha detaje të tjera.

Ndërkohë ISIS-i ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist në Mançester.

Të paktën 22 persona u vranë dhe 59 të tjerë u plagosën gjatë shpërthimit në të dalë të arenës ku zhvillohej një koncert.

Shpërthimi ndodhi në hollin e Manchester Arenës, që ka një kapacitet prej 21 mijë vendesh, në përfundim të një koncerti të këngëtares amerikane të muzikës pop, Ariana Grande.

Videot nga koncerti tregojnë mijëra pjesëmarrës, shumë prej tyre vajza të moshës së re, që me klithma përpiqeshin të dilnin nga godina.

“U ndezën dritat në mbyllje të koncertit dhe të gjithë po ngriheshin për të dalë, kur papritur u dëgjua një shpërthim i fuqishëm. U lëkundën të gjitha poltronat dhe njerëzit filluan të vraponin, ndërsa bërtisnin dhe qanin. Ne kërkuam daljen më të afërt”, thotë Sophie Walker që ishte ndër spektatoret e koncertit.

Prindër të shqetësuar që patën sjellë fëmijët në koncert, ishin mbledhur në rrugët rrotull duke pritur.

Kryeministrja britanike Theresa May konfirmoi të dhënat paraprake të policisë së Mançesterit se një sulmues vetëvrasës shpërtheu një paisje të improvizuar në një nga hollet dalëse të arenës. Ajo e quajti sulmin ndër më të rëndët që ka përjetuar Britania.

“Të gjitha aktet e terrorizmit janë akte burracakërie ndaj njerëzve të pafajshëm. Por, ky sulm i tmerrshëm spikat për shkak se pati si objektiv fëmijë dhe të rinj të pafajshëm dhe të pambrojtur, që donin të shijonin një nga netët më të bukura të jetës së tyre”, tha Kryeministrja May.

Kryeministrja britanike tha se hetuesit po punojnë për të përcaktuar nëse sulmuesi veproi i vetëm apo si pjesë e një grupi.

Presidenti amerikan Donald Trump e dënoi sulmin gjatë vizitës në Bethlehem, përkrah Presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

“Ofrojmë solidaritetin tonë absolut për popullin britanik. Kaq shumë të rinj të bukur dhe të pafajshëm që shijonin jetët e tyre, u vranë nga dështakë keqdashës. Nuk do t’i quaj përbindësha, pasi do t’u pëlqente ky term. Do mendonin se është emërtim i madh. Këtej e tutje do t’i quaj dështakë, pasi të tillë janë”, tha Presidenti Trump.

Këngëtarja Grande nuk u lëndua gjatë sulmit. Ajo shkroi më pas në twitter për të shprehur pikëllimin dhe për të ngushëlluar familjarët e viktimave.

Kryeministrja May dhe kreu i opozitës Corbyn pezulluan aktivitetet e fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 qershorit.

Departmenti amerikan i Sigurisë njoftoi se po monitoron situatën dhe se nuk ka aktualisht ndonjë kërcënim specifik për koncerte që zhvillohen në SHBA.