Botë

Papa dhe Trump e përfunduan takimin e tyre

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe Papa Françesk, e kanë mbajtur sot takimin e tyre të parë.

Papa e ka pranuar presidentin Trump në Vatikan, për një audiencë të zgjeruar, që ka zgjatur më tepër se 30 minuta.

Pas audiencës private me Papën, Donald Trump, bashkëshortja e tij Melania, dhe anëtarët e tjerë të familjes, janë mbledhur për fotografime me Papën.

Gjatë fotografimit ishte i pranishëm edhe sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson.

Pritet që në Romë, presidenti Trump do të takohet me presidentin e Italisë, Sergio Mattarella, dhe kryeministrin, Poalo Gentiloni.

Presidenti Trump arriti sot në Itali nga Izraeli dhe Bregu Perëndimor, ku ai u ka bërë thirrje izraelitëve dhe palestinezëve që të arrijnë kompromis për paqe.

Më herët në Arabinë Saudite, presidenti amerikan ka marrë pjesë në një samit të liderëve të vendeve kryesisht myslimane.

Në kuadër të turneut të tij të parë të jashtëm si president amerikan, Donald Trump nesër merr pjesë në një takim të NATO-s në Bruksel, e pastaj do të jetë njëri nga pjesmarrësit në samitin G-7 në Sicili, më 26 dhe 27 të këtij muaji.