Botë

NATO ndryshon programin e partneritetit me shtetet jo-anëtare për shkak të Turqisë

NATO ka arritur një marrëveshje gjatë ditës së djeshme (23 maj) për të zhbllokuar partneritetin me rreth 40 shtete jo-anëtare që ishte paralizuar pas një mosmarrëveshjeje mes Turqisë dhe Austrisë, thonë zyrtarë.

Turqia, që është ushtria e dytë më e madhe në NATO pas SHBA-së, i kishte vënë veto të gjitha bashkëpunimeve me Austrinë neutrale pasi Vjena i kishte bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i ndërpriste bisedimet për anëtarësim me Ankaranë.

Për pasojë u bllokua i tërë programi i partneritetit me dhjetëra shtete që s’janë në NATO që mbulojnë pjesën më të madhe të Evropës, përfshi edhe shumë vende tjera nga Lindja e Mesme e Azia.

Por të hënën (22 maj), të 28 shtetet anëtare të NATO-s u pajtuan që të ndryshojnë sistemin në mënyrë që bashkëpunimi “të planifikohet në baza individuale, e jo kolektivisht”, ka thënë një zyrtar i NATO-s në kushte anonimiteti, transmeton Koha.net.

“Kjo do të reduktonte në mënyrë thelbësore rrezikun e bllokadave të bashkëpunimit me partnerë në mbarë botën”, ka thënë ai, raporton Euractiv.

Megjithatë, zyrtarët thonë se Turqia do të vazhdojë të mbajë veto ndaj pjesëmarrjes së Austrisë.

Mediat në Vjenë kanë cituar ministrin e Mbrojtjes, Hans Peter Doskozil, të ketë thënë se bllokada e Turqisë po i vë “interesat e sigurisë së Evropës në rrezik”.

Zyrtari i NATO-s ka thënë se aleanca nuk po e përfundon bashkëpunimin me Austrinë, e cila “ka qenë partnere e vjetër e NATO-s dhe ne i vlerësojmë në masë të madhe kontributet e saja në sigurinë tonë të përbashkët”.

“Shpresojmë se mosmarrëveshjet bilaterale mes Austrisë dhe Turqisë do të zgjidhen sa më shpejtë që të jetë e mundur”.

(Koment nga redaksia e Koha.net) - Austria, në bazë të këtij bashkëpunimi që ka pasur me NATO-n, ka qenë e përfshirë në Kosovë me rreth 400 ushtarë në kuadër të misionit të KFOR-it. Nëse nuk do të gjendet një zgjidhje e shpejtë e çështjes mes dy vendeve, ushtarët austriakë do të mund të largoheshin nga Kosova.