Botë

Britania prezanton monedhën e re pas nënshkrimit të Brexit

Descriptive Text

Mbretëria e Bashkuar prezantoi monedhën e re, me vlerë pesëdhjetë pens, për të festuar largimin nga Bashkimi Europian më 31 janar, tha kancelari britanik, Sajid Javid.

Më parë, Britania kishte nxjerrë disa miliona monedha me datën e mëparshme të Brexit, tetor 2019, të cilat u shkrinë sërish pasi Britania nuk doli nga blloku europian vitin e shkuar.

Tre milion monedha, në të cilat shkruhet “paqe, prosperitet dhe miqësi me të gjithë kombet” do të nisin të qarkullojnë duke filluar nga e premtja.

Javid tha në Twitter se: “Monedha shënon fillimin e një kapitulli të ri shumë emocionues në historinë e Britanisë. Le t’i kthejmë sytë nga e ardhmja me vetëbesim dhe të shpalosim potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë”.

Të mërkurën, Parlamenti Europian pritet të miratojë paktin e Brexit të Boris Johnson, duke i hapur rrugën largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, të premten më 31 janar.

Pothuajse 4 vjet që nga koha kur britanikët votuan për tu larguar nga BE-ja, Britania ka shkuar dy herë në zgjedhje dhe ka ndërruar 3 kryeministra, David Cameron, Theresa May dhe së fundmi Boris Johnson.

Në një vit më se të trazuar për politikën britanike, qëndrimi i fortë i Johnson ndaj Brexit, largoi shumë anëtarë të partisë së tij në 2019-n, por nga ana tjetër projektligji u votua në masë në zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit, duke fituar shumicën në parlament me zotimin se do ia dilte të nxirrte Mbretërinë e Bashkuar nga BE-ja.

Pas zgjedhjeve, ai e çoi projektligjin e tij të Brexit në të dy dhomat e parlamentit dhe ajo që ngelet tashmë, është vetëm që BE-ja ta miratojë të mërkurën. Më pas nis procesi kompleks për të negociuar një marrëveshje tregtare me Europën, e cila duhet të arrihet përpara fundit të këtij viti.