Botë

BE-ja ia shkurton ndihmat Turqisë

Foto: Reuters

BE-ja ka vendosur një shkurtim tjetër të ndihmave për Turqinë, kështu që për vitin 2020 janë hequr si ndihma 75% e transfertave të parashikuara, thuhet në një letër të të ngarkuarit të BE-së për Politikën e Jashtme, Joseph Borrell, drejtuar Parlamentit Evropian, sipas të dhënave të publikuara nga grupi mediatik, “Funke Gruppe”.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, Turqia pritet të marrë këtë vit vetëm 186 milionë euro nga programi IPA për afrimin e vendeve aspirante me BE-në. 150 milionë euro nga ndihmat do të jepen për demokracinë dhe shtetin ligjor, 18 milionë euro në një program për zhvillimin rural. Komisioni Evropian nuk është shprehur deri tani për shkurtimet, transmeton DW raportimet e agjencive afp e dpa.

Qipro dhe Siria – pika konflikti

Me ndihmat e paraanëtarësimit, BE-ja kërkon të mbështesë e përmirësojë proceset e reformave në vendet kandidate. Negociatat e anëtarësimit me Turqinë prej vitesh kanë ngrirë. Borrelli e argumenton shkurtimin e ri me kërkimet e palejuara për gaz të Turqisë para brigjeve të vendit anëtar të BE-së, Qipro, me të cilat BE nuk është dakord. Si argument tjetër përmendet operacioni ushtarak i Turqisë në Sirinë verilindore në tetor.

Pakti për refugjatët mbetet

Nga shkurtimet mbeten të paprekura pagesat që BE-ja në kuadër të marrëveshjes me Turqinë ia ofron këtij vendi. Pakti i refugjatëve nga viti 2016 parashikon që migrantët e ardhur ilegalisht në Greqi të kthehen në Turqi. BE-ja merr përsipër të pranojë refugjatë sirianë nga Turqia dhe e mbështet financiarisht Turqinë në kujdesin ndaj refugjatëve. Megjithatë në Greqi në muajt e fundit është rritur ndjeshëm numri i refugjatëve të ardhur nga Turqia.