Botë

Një vajzë gjendet e gjallë pas 18 orësh nën borë në Kashmir

Descriptive Text

Një 12-vjeçare është gjetur e gjallë pasi ishte e mbuluar për 18 orë nga bora, kur një ortek kishte goditur shtëpinë e saj në Kashmir.

Samina Bibi ka thënë se “kishte bërtitur për ndihmë” teksa kishte mbetur e shtrirë në një dhomë nën borë.

Ajo ka thënë për “Reutersin” se ka menduar se do të vdiste aty e se nuk kishte shpresë se do të dilte e gjallë.

Rajoni është goditur nga një numër ortekësh e rrëshqitjet e dheut në ditët e fundit duke shkaktuar vdekjen e dhjetëra personave.

Samina menjëherë pas nxjerrjes nga bora ishte dërguar në një spital. Nëna e saj ka thënë se familjarët ishin mbledhur rreth një zjarri në shtëpinë e tyre kur kishte ndodhur orteku.

“Nuk kishim dëgjuar asnjë zhurmë. Ndodhi sa hap e mbyll sytë”, ka thënë ajo duke shtuar se tashmë kishte humbur shpresat se do ta gjente të gjallë të bijën.

Samina ka lënduar këmbën dhe ka thënë se kishte rrjedhur gjak nga goja. Ka shtuar se nuk kishte mundur të flinte fare teksa ishte e mbuluar nga bora.

Kashmiri, që si rajon është i ndarë mes Pakistanit e Indisë, është prekur në tërësi nga këto fatkeqësi, por pjesa e administruar nga Pakistani është goditur më shumë. Aty ende autoritetet po kërkojnë njerëz të zhdukur.