Botë

Fundoset barka me azilkërkues në detin Jon, vdesin 12 persona

Foto: Reuters

Së paku 12 persona kanë vdekur kur një barkë e mbushur me azilkërkues u fundos në detin Jon, thotë roja bregdetare greke.

“Deri më tani janë nxjerrë 12 trupa të pajetë. Operacioni për kërkim dhe shpëtim po vazhdon”, ka thënë roja bregdetare greke në një deklaratë, duke shtuar se 21 persona janë shpëtuar, raporton “Al Jazeera”.

Tre nga të shpëtuarit janë dërguar me aeroplan në Aktio, Greqia perëndimore, për të pranuar trajtim mjekësor, transmeton Koha.net.

Autoritetet thanë se barka u mbush me ujë afër ishullit Paxi gjatë tentimit për të arritur Italinë.

Gjashtë barka patrulluese të rojës bregdetare dhe dy helikopterë ushtarakë u angazhuan në këtë operacion, tha roja bregdetare, duke shtuar se edhe katër anije transportuese asistuan në operacion.

Me mbylljen e kufijve përgjatë shtegut të ashtuquajtur ballkanik të refugjatëve, disa azilkërkues në Greqi po provojnë rrugë ilegale për t’u larguar nga vendi dhe për të arritur në Evropën Perëndimore, përfshirë edhe rrugë malore në Shqipëri apo duke lundruar në Italinë fqinje.

Detaje tjera për këtë rast tragjikë nuk janë dhënë.