Botë

Sulm me raketa në qendër të Bagdadit dhe në bazën ushtarake me trupa amerikane

Descriptive Text

Disa raketa kanë rënë në dhe përreth Bagdadit të shtunën mbrëma, përfshirë një sulm që për cak kishte një bazë ushtarake ku janë të stacionuar trupat amerikane, ka thënë ushtria irakiane.

Disa raketa ranë në lagjen e qytetit Jadriya si dhe në Zonën e Gjelbër shumë të fortifikuar ku janë të vendosura ndërtesa qeveritare dhe disa misione të huaja, përfshirë edhe Ambasadën amerikane, transmeton Koha.net.

Shpërthimet goditën edhe bazën ajrore Balad, që gjendet 80 kilometra në veri të Bagdadit, ku janë të stacionuar trupat amerikane në Irak. Burime të sigurisë i kanë thënë agjencisë së lajmeve AFP se dronë survejues janë dërguar mbi bazë për të gjetur burimin e raketave.

Ushtria irakiane ka shtuar në deklaratën e saj se “nuk ka jetë të humbura”.

Burime policore i kanë thënë agjencisë së lajmeve Reuters se pesë persona janë lënduar gjatë sulmit në lagjen Jadriya që gjendet afër Zonës së Gjelbër.

Sulmet me raketa erdhën pasi një sulm ajror amerikan vrau liderë të milicisë irakiane dhe top-gjeneralin iranian, Qassem Soleimani, që drejtonte Forcën elitë Quds të Iranit.

Irani është zotuar për hakmarrje të ashpër për vrasjen e Soleimanit.