Botë

Protestuesit në Mal të Zi përleshen me policinë për shkak të ligjit për fetë

Descriptive Text

Policia malazeze ka hedhur gaz lotsjellës të dielën mbrëma për të shpërndarë disa dhjetëra përkrahës të Kishës Ortodokse Serbe që po protestojnë kundër një ligji të ri për komunitetet fetare.

Protestuesit në Zeta, jashtë kryeqytetit Podgoricë, hodhën gurë në drejtim të policisë, duke lënduar katër prej tyre, dhe përdorën një trung druri për të bllokuar përkohësisht rrugën që çon në drejtim të aeroportit kryesor të Malit të Zi, raporton Reuters.

Në qendër të qytetit, policia po ashtu hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë një turmë të mbledhur afër katedrales ortodokse. Protestat përfunduan pa incidente në tri qytete tjera, transmeton Koha.net.

Këto tubime erdhën pasi Këshilli Peshkopal i Kishës Ortodokse Serbe, kisha dominuese në mesin e 620 mijë banorëve të Malit të Zi, lëshoi një komunikatë duke kërkuar nga besimtarët “të mblidhen në tempuj për t’u lutur… dhe të tregojmë se nuk do të lëkundemi para regjimit malazez”.

Në një deklaratë, policia malazeze akuzoi kishën për nxitje të dhunës. “Deklaratat e personaliteteve të kishave po çojnë në pengesa të rendit publik dhe po lëndojnë policë”, tha deklarata.