Botë

Zjarrfikësit vullnetarë përballë flakëve në Australi

“E bëj këtë punë sepse është pasion. Është vëllazëri. Kur u shkrep ajo foto imja, tashmë kisha kryer orarin 15 orësh përballë flakëve”, thotë Daniel Knox, që një foto e tij mes flakëve, u përhap me të madhe në Australinë e përfshirë nga flakët.

Ai është njëri nga qindra australianët që braktisën jetët e tyre të zakonshme për t’u përballur me krizën më të madhe të zjarreve në Australi.

Fotografi Knox është pjesë e Shërbimit të Zjarrfikësve që konsiderohet si “organizata më e madhe e zjarrfikësve vullnetarë”.

Kjo organizatë numëron 70 mijë anëtarë, të stërvitur fort, por që nuk marrin asnjë cent për punën që bëjnë, transmeton KTV.

Ai iu bashkua organizatës kur ishte 17-vjeçar dhe ka marrë përvojë nga anëtarët më të vjetër të organizatës.

Që prej muajit shtator, gati 3 mijë zjarrfikës vullnetarë, çdo ditë janë përballur me vatra zjarri të madhësisë së disa shteteve të vogla evropiane.

E 90 për qind e këtyre zjarrfikësve nuk paguhen.

Ky model i brigadës së zjarrfikësve funksionon në Australi, tash e një shekull.

Të tilla grupe janë krijuar për shkak se shtetet australiane, çdo vit përballen me zjarrin.

“Kur erdhëm këtu, shtëpia veçse ishte djegur, ndërsa na thanë se nëse një shtëpi është në flakë, duhet të vrapojmë për ta shpëtuar tjetrën. Do ta kisha të vështirë ta kryeja punën time po të vija me kohë te shtëpia. Prandaj është dashur të vazhdojmë tutje”, tha Russel Scholes, një zjarrfikës vullnetar.

Gjatë viteve të shkuara, zjarret nuk zgjatnin tërë vitin, kështu, zjarrfikësit ishin më pak të angazhuar.

Por sivjet, situata ka ndryshuar. Zjarret e mëdha që zakonisht nisnin kah fundi i verës, nisën në pranverë, duke vështirësuar punën e zjarrfikësve që kanë lënë në flakë shtëpitë e tyre, për të shpëtuar të tjerat. E dy zjarrfikës vullnetarë, vdiqën në fillim të dhjetorit, kur vetura e tyre u godit nga një dru i përfshirë nga flakët.

Vetëm brenda një muaji, zjarri është përhapur në 450 mijë hektarë tokë në veriperëndim të Sydneyt.

Zyrtarët australianë kanë deklaruar se ky zjarr është më i madhi i regjistruar ndonjëherë në Australi.